ELBASAN- Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Arben Isaraj, nga Elbasani ku ishte i pranishëm në Analizën vjetore për vitin 2017 të Drejtorisë Rajonale të këtij Qarku ka deklaruar se tashmë ka marrë fund koha e shërbimit mizerabël dhe e abuzimeve nga këto institucione.

“Së shpejti ne do t’i japim fund njëherë e përgjithmonë mungesës së profesionistëve në sportelet e shërbimeve, si dhe do të forcojmë në maksimum kërkesën e llogarisë për të gjithë punonjësit tanë. Përpara se të mendojmë për arritjen e rezultateve financiare punonjësit e DRSHTRR-ve duhet të kenë si prioritet kryesor ofrimin e shërbimeve të përsosura për qytetarin. Pra çdo punonjës duhet ta shohë veten në pozicionin e një shërbëtori ndaj qytetarit dhe të bëjë përpjekjet maksimale për t’i shërbyer në kohën më të shpejtë të mundshme dhe mbi të gjitha konform ligjit”, tha ai.

Aktualisht sipas drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Arben Isaraj ka nisur puna për rikonstruktimin e të gjithë institucionit dhe shërbimeve që ofrohen për qytetarët.

Isaraj ka nënvizuar gjatë fjalës së tij para punonjësve të DRSHTRR në Elbasan se, do të bëhet më e mira e mundshme për përsosjen e shërbimeve që kërkojnë qytetarët dhe këto shërbime do jenë dinjitoze dhe në një kohë sa më të shpejtë.

“Natyrisht që ende disa shërbime nuk janë të përsosura për shkak të problematikave të trashëguara, por do të bëhet gjithçka që të ketë sa më tepër cilësi në shërbimet që ofrohen nga të 13-të Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Por edhe pse kemi trashëguar probleme të shumta shpreh bindjen e plotë se falë menaxhimit të shkëlqyer të punëve nga ekipi i ri drejtues, do ketë shërbime model në sportelet e DRSHTRR dhe hapat përpara do jenë të pabesueshëm edhe për më skeptikët. Me punë dhe vetëm me punë ne do arrijmë në kohë rekord që t’i kthejmë Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor një model të shkëlqyer shërbimi për qytetarët”, ka theksuar Arben Isaraj.

Ndërkaq ai ka vlerësuar performancën e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Elbasan.

Nga ana e saj Luiza Popja, drejtore e kësaj Drejtorie për këtë Qark, ka theksuar se në arritjen e treguesve pozitivë dhe të performacës së mirë ka ndikuar puna e jashtëzakonshme që është bërë dhe që bëhet në këtë ndërmarrje shërbimesh, ku së fundi ankesat serioze nga qytetarët për shërbimet e ofruara nga ana e punonjësve të kësaj Drejtorie thuajse nuk ekzistojnë më.

“Ne kemi si parim që t’i dëgjojmë me qetësi qytetarët dhe të mendohemi mirë kur t’u kthejmë përgjegjen, dhe çmimi i madhështisë së punës tonë është te kryerja me përgjegjësi e detyrës që kemi në çdo sportel ku shërbejmë. Gjithsekush nga ne është drejtues në sektorin ku u shërben qytetarëve dhe Institucionit, prandaj duhet të kemi si parin të manifestojmë integritet, disiplinë e kurajë për të menaxhuar edhe situatat problematike. Sukseset tona përcaktohen nga rezultatet. Hapi i parë i suksesit në punën tonë është marrja e shërbimeve të kërkuara nga qytetarët në mënyrën më të mirë e më të shpejtë të mundshme, pasi puna jonë është punë në ekip dhe synojmë që t’i bëjmë qytetarët të ndihen mirë kur marrin shërbim në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve dhe Transportit Rrugor Elbasan, dhe jo të ndjehen të braktisur para zyrave të shërbimit”, theksoi Luiza Popja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb