Një gjykatë në Prishtinë e dënoi me 12 vjet heqje lirie një pjesëtar të komunitetit serb nën akuzat për krime lufte kundër popullsisë civile në pranverën e vitit 1999.

Gjykata e shpalli fajtor Zoran Gjokiqin, nën akuzat se “me datën 29 mars të vitit 1999, në lagjen “Kristal” në Pejë, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal të nacionalitetit serb, në mesin e të cilëve ishte edhe një person i quajtur D., si dhe NN persona të paidentifikuar deri më tani, të veshur me uniforma policore, paramilitare dhe ushtarake u kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose shëndetit, kanë aplikuar masa frikësimi, ndaj popullatës së pambrojtur civile kanë kryer vrasje, plaçkitje të një qyteti ose një vendi, kanë urdhëruar zhvendosjen e popullatës civile për shkaqe që lidhen me konfliktin drejtuar me qëllim, kundër popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civil që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt”.

Gjykatësi i këtij rasti, Arben Hoti, tha para shpalljes së vendimit se janë analizuar gjitha provat veç e veç si dhe janë vërtetuar faktet në bazë të dëshmive nga dëshmitarët dhe provave materiale lidhur me këtë çështje.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe rreth pesë mijë u zhdukën, ndërsa forcat serbe dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë nga Kosova gjatë luftës gati dyvjeçare, që mori fund 22 vjet më parë më parë, me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare, deri tani 67 veta janë dënuar me vendim të prerë për krime lufte në Kosovë nga Gjykata për krime lufte në Hapësirat e ish Jugosllavisë dhe gjykatat në Kosovë dhe Serbi.

Prej tyre 39 janë shqiptarë, 26 serbë dhe 2 pjesëtarë të komunitetit rom.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb