Kryeministri i vendit Edi Rama në një intervistë në ERTV nga Nju Jorku ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u pyet për idenë e hedhur prej tij të “Shengenit Rajonal”.

Rama tha se “Shengeni Rajonal” do të ndihmonte në heqjen e kufijve në Ballkan për njerëzit dhe mallrat. Ai shtoi se vendet e rajonit së bashku janë më të fuqishëm dhe krijojnë treg më të madh sesa të copëtuar.

“Shengeni Rajonal? Po jam shprehur më herët dhe për këtë kam marrë edhe akuza se kush e ka dëgjuar thotë se hiqet kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës. Na është dhënë mundësia që në këtë Asamble të jemi me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin maqedonas. Na ka rënë për pjesë për të diskutuar për bashkëpunim të tre vendeve, që nuk është përjashtues ndaj vendeve të tjera. Përkundrazi është hap për të nxitur edhe të tjerët që të bashkohen.

Ky hap ka rëndësi të madhe, nëse në bazë të kësaj marrëveshje është heqja e kufijve për njerëzit, mallrat dhe për investitorët e mëdhenj, që është e qartë se nëse do të duhet të investojnë, kanë nevojë për një treg tepër më të madh sesa vetëm tregu i secilit vend. Së bashku ne mund të bëjmë shumë më shumë”, deklaroi Rama.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb