Publicisti Mustafa Nano, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në ‘News24’ ka treguar më shumë rreth librit të tij të fundit “Një javë në Manastir”, i botuar nga UET press. Përballë moderatores Nisida Tufa, Nano tregoi se si i lindi ideja e këtij libri dhe çfarë e ‘ngacmoi’ atë që të ndalej tek historia e Kongresit të Manastirit.

Gjatë bashkëbisedimit, publicisti pohoi se ai ka tentuar që të të sjellë historinë e Kongresit të Manastirit në fillimvitet të shekullit XX, përmes syve të një anglezi, që sipas tij është dhe personazhi kryesor. Sipas Nanos, Kongresi i Manastirit është momenti kur bashkohen për herë të parë gegë e toskë, myslimanë dhe të krishterë, për alfabetin shqiptar.

Mes të tjerash ai pohoi se kjo periudhë pandemie shërbeu për mirë për krijimtarinë e tij, duke sjellë një libër për lexuesit e tij.

“E kisha nisur më përpara se të niste kjo flama e COVID-it. Më pas kam shfrytëzuar këtë periudhë të covid-i, i karantinuar. Mua më erdhi si ‘porosi’ ky covid-i. Mund ta konsideroj si periudhën me efiçente të jetës time. Jam fokusuar tek ky roman, i kam reduktuar komunikimet humane. Kështu që ka qenë periudhë interesante e jetës time. Mua më kanë tërhequr me vëmendje udhëtarët e huaj që vizitonin Ballkanin në shekullin e XIX dhe të XX. Këto personazhe më kanë ngacmuar imagjinatën, ishin në Europë dhe ballafaqoheshin me një realitet ballkanik. Dhe më pas një realitet shqiptar, që ishte fundi i realitetit ballkanik. Them; “ça kanë menduar këta njerëz vallë kur kanë parë sojën e shqiptarëve, në 1908, kur ishin të prapambetur?”. Gjuha shqipe ishte e çuditshme. Këta kanë meritë se kanë shpikur kombin shqiptar, para se ta shpiknim ne. Kur vjen puna të marrëdhënia mes feve, ne përfaqësojmë një veçanti. Në gjitha vendet e Europës po bëhen problem çështja e feve. Ky është një problem për shumë vende, kurse ne e kemi prej shekujsh. Jemi të mësuar, të stërvitur me këtë situatë. Ne mund ta eksportojmë. Tentativa për ta eksportuar si dikur si një gjë që e kemi vetëm ne. E vetmja gjë që mund t’i mësojmë Europës është se si të bëjë të mundur që shumë fe në Europë mund të ekzistojnë pa probleme. Nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë, pasi është e kërcënuar. Kjo nuk ruhet duke i fshehur problemet, por duke i thënë.”, tha Mustafa Nano.

Po ashtu publicisti Nano ka treguar se çfarë e ngacmoi nga Kongresi i Manastirit.

“Më ka ngacmuar kjo histori. Më pëlqen. Libri nuk është gati-gati akademik. Pasi ka një fabul dhe ajo ndiqet lehtë. U gëzova shumë kur më thatë se e kishit lexuar librin. Romani ka një fabul që është i lexueshëm për çdo njeri. Ka shumë ngjarje interesante historia e Shqipërisë. Të marrim Lidhjen e Prizrenit, që është ngjarja e parë ku u manifestua dëshira e shqiptarëve për të bërë diçka së bashku. Aty kishte myslimanë dhe lidhja e Prizrenit ka qenë me qëllime osmane, pasi s’ka qenë shumë patriotike. Pasojat ishin patriotike. Unë shoh Kongresin e Manastirit si një ngjarje e parë ku shqiptarët demonstrojnë në mënyrë spektakolare që të jenë bashkë. U mblodhën për njësimin e një alfabeti. Ishte një gjuhë që lëvrohej në dialektin në alfabete të ndryshme. Aty u mblodhën dhe të krishterë dhe myslimanë, gegë e toskë. Aty ka pasur mundësi që të shihen njerëz me skrupuj të vërtetë patriotike. Kishin sensin e nevojës për bashkim. Ata ndoqën trendin historik të Shqipërisë. Unë jam rritur në një mjedis tosk, ku iu është kënduar edhe erosit, ku ka pasur edhe burra të mbledhur. Janë vargje normale, mua së paku kështu më duket. Mua m’i boton UET dhe unë jam i kënaqur me promovimin që më bën pikërisht UET. Është roman klasik, ka jetë njerëzore.”, pohoi Mustafa Nano.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: