TIRANE- Publikimet dhe e Drejta e Autorit, janë një mënyrë përfitimi të ardhurash për deputetët. Sipas “Open Data”, kryeministri Edi Rama kryeson listën e kësaj kategorie me 2 694 009 (dy milion e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e nëntë) lekë, të ardhura nga krijimtaria e tij artistike shitur dhe arkëtuar në vitin 2015. Kjo vlerë është përfituar nga shitja e librit “Kurban” gjatë këtij viti, si dhe nga shitje të veprave artistike skica dhe piktura.

Kryeministri njëkohësisht deputet ka specifikuar se kjo është vlera neto e përfituar pasi janë zbritur tatimet mbi të ardhurën personale. Ndërkohë, i dyti në listë në renditje është deputeti kontravers i Partisë Socialiste, njëherazi shkrimtari, Ben Blushi, i cili vitin e kaluar ka siguruar nga shitja e librave, dy milionë lekë të ardhura.

Dy vite më parë, në vitin 2014, shitjet e librave për kontraversin Blushi garantuan pesë milion lekë. Sakaq, në raportin e publikuar, bazuar tek deklarimi i pasurisë, shihet se kryeministri disponon të ardhura nga paga (vlera neto), 2 037 188 (dy milion e tridhjetë e shtatëmijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë) lekë. Ndërsa, Blushi deklaron të ardhura nga interesa të depozitave bankare, letrave me vlerë dhe obligacione.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: