Shtatorja e patriotit Sali Butka, një prej personaliteteve më të mëdha të Kolonjës do të qëndrojë në qendër të qytetit. Sali Butka vlerësohet si një nga luftëtarët dhe udhëheqësit kryesorë të lëvizjes për çlirim, pavarësi, mbrojtjen e integritetit kombëtar e territorial, themelimin e shtetit të pavarur shqiptar dhe vendosjen e rendit demokratik në Shqipëri. Për nipin e tij Uran Butka figura e tij përfaqëson sakrifikimin për Shqipërinë.

“Luftoi jo vetëm për lirinë dhe pavarësinë e kësaj treve, por edhe të gjithë Shqipërisë. Krijoi çetat e para në histori dhe bashkë me Petro Ninin Luarasin punoi për përhapjen e diturisë. U caktua për të mbrojtur qeverinë e Ismail Qemalit dhe të Vlorë nga një sulm që i bëhej nga forcat turke që ishin në Fier. Ai u përball me ushtritë greke që vinin të pushtonin në Korçë. Kulmi i veprimtarisë historike të Sali Butkës është shpallja e republikës shqiptare të Korçës në dhjetor të vitit 1916. Ai deri në momentet e fundit të jetës luftoi për Shqipërinë e lirë, të pavarur e demokratike”, tha Uran Butka.

Jo pa qëllim shtatorja u vendos përballë shkollës “Petro Nini Luarasi” pasi Sali Butka ka qenë mbrojtës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i tij për hapjen e shkollës se pare shqipe në Kolonjë dhe lobimin për arsimimin e brezave dhe patriotëve në Kolonjë. Shtatorja e Sali Butkës u punua nga duart e mjeshtrit skulptorit Agim Rada.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: