TIRANË

Zbardhen detaje të reja nga depoja e madhe e armëve, e zbuluar sot nga policia në Tiranë, që i përket shtetasit Sokol Xhura. Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se aksioni është kryer me urdhër të SPAK, rrënjët e të cilit nisin më 9 shkurt të këtij viti, kur iu bë atentat biznesmenit Gjon Mena, në Kamëz.

Pas atentatit, policia arrestoi dy kushërinjtë Enver dhe Edmond Jamaku, si dhe Gjergj Cukalin, i dyshuar si organizator i atentatit. Pak kohë më vonë, Enver Jamaku mori statusin e të penduarit të drejtësisë, duke pranuar të tregojë para hetuesve disa ngjarje të rënda kriminale, dhe duke bërë që dosja t’i kalojë SPAK.

Menjëherë pas kësaj, Prokuroria e Posaçme mori në pyetje të penduarin, i cili zbuloi 18 bazat kriminale të armëve të rënda, që u shkatërruan pak javë më parë nga policia. Më tej, siç raporton gazetarja Lala për “BalkanWeb”, në dëshminë e tij para SPAK, Jamaku ka treguar edhe për bazën e Sokol Xhurës.

Kjo ka bërë që SPAK të urdhërojë kontroll në ambientet në pronësi të tij, prej ku ka zbuluar arsenalin e armëve. Gazetarja Lala bën me dije për “BalkanWeb” se Xhura kishte krijuar një depo të fshehtë me armë të sofistikuara, të cilat i kishte murosur, dhe më pas ishte larguar në SHBA, pasi kishte dokumente.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb