*Policia ka shoqëruar babain dhe vjehrrin e autorit
TIRANE –Krimi brenda familjes trondit kryeqytetin. Konflikti për ndarjen e një prone mes dy vëllezërve, ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve të zjarrit.
Burime nga policia e Tiranës bëjnë të ditur se 36-vjeçari Afrim Kallari ka vrarë me çifte vëllain e tij Ermir Kallari 35 vjeç, dhe më pas është vetëdorëzuar në polici. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15:25 në fshatin Valias të Tiranës, në një objekt ku vëllezërit punonin të dy si roje, në rrugën e Rinasit.
Burime nga policia bëjnë të ditur se në sherrin mes vëllezërve ka ndërhyrë edhe nëna e tyre, i cila është plagosur aksidentalisht në këmbë me armë zjarri.
Mësohet se vëllezërit Kallari kishin prej kohësh konflikte me njëri–tjetrin për ndarjen e një prone.
Ndërkohë, forca të shumta policore kanë mbërritur në fshatin Valias dhe po punojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Policia ka shoqëruar babain dhe vjehrrin e autorit, të cilët ndodheshin në vendin e ngjarjes në momentin që ndodhi krimi.
Sipas informacioneve, autori i krimit, Afrim Kallari është punonjës në njësinë zjarrfikëse në kryeqytet, në zonën e Kombinatit.
DEKLARATA E POLICISE
“Më datë 02.06.2016, ora 15:25, në Valias të vjetër, në rrugën e Rinasit, shtetasi Afrim Kallari, i datëlindjes 1979, ka vrarë me armë zjarri “çifte”, vëllain e tij E.Kallari, 1980. Autori u shoqërua në Komisariatin Nr.5. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
(er.nu/BalkanWeb)