Një britanike me origjinë pakistaneze, është vrarë nga dy burra, që kërkonin të martoheshin me të. Mediat e huaja shkruajnë se viktimë ka mbetur 26-vjeçarja Maira Zulfiqar, e cila është qëlluar me armë dhe është mbytur nga dy persona, që hynë fshehurazi në apartamentin ku ajo jetonte.

Studentja e drejtësisë kishte shkuar në Pakistan dy muaj më parë, nga Britania, për të punuar në degën vendase të kompanisë ligjore Duncan Blackett. Këto kohë ajo qëndronte në një apartament me qira, ku dhe u gjet e vdekur.

Autopsia e bërë nga mjekët, tregoi që vajza ishte mbytur dhge qëlluar me armë, ndërsa në trup kishte shenja prerje. Në dokumentet ligjore të depozituara nga xhaxhai i të ndjerës thuhet se dy burrat ishin të njohur të vajzës dhe po tentonin ta bindnin të pranonte martesën me një prej tyre, por ajo i kishte refuzuar të dy.

Në dokumente thuhet se vajza kishte vizituar shtëpinë e xhaxhait disa ditë para tragjedisë dhe ishte ankuar se dy burrat e përndiqnin dhe e kërcënonin.
Një zyrtar i policisë së Lahore tha se gruaja kishte një plagë plumbi në shpatull, por shkaku i saktë i vdekjes nuk është përcaktuar nëse ishte nga plumbi apo mbytja në fyt.

Dy të dyshuarit nuk janë ndaluar ende nga policia, e cila thotë se hetimet vazhdojnë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb