Policia ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me vrasjen e ndodhur mesditën e kësaj të marte në Shkodër, aty ku u regjistrua një krim pasioni. Në një automjet të parkuar në lagjen “Mark Lula”, u gjet i pajetë një i ri i cili kishte plagë plumbi në kokë dhe një grua e cila ishte e plagosur.

Blutë njoftojnë se në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë menjëherë 34-vjeçari Kolë Manaj, ndërsa gruaja në sediljen e pasagjerit, Anila Prendushi, 44 vjeçe dyshohet se është qëlluar prej tij me plumb në gjoks dhe ndodhet në spital. BalkanWeb mëson se gjendja e gruas është kritike. Plumbi asaj i ka kaluar pranë zemrës dhe plaga e shkaktuar nga arma e zjarrit i ka shkaktuar hemorragji të theksuar.

Anila Prendushi, nënë e 3 fëmijëve dhe e divorcuar, ishte në një lidhje intime me partnerin saj 10 vjet më të ri, Kolë Manaj, ndërsa prej 5 vitesh ata bashkëjetonin.

  • foto galeri
  • foto galeri

Nga veprimet e para rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme të shkaktuara nga armë zjarri. Në brendësi të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë. Dyshimet janë se ngjarja është një krim pasioni.

Zona ku ndodhi ngjarja është e monitoruar nga kamera sigurie të disa bizneseve përreth, pamjet e të cilave mund të ndihmojnë grupin hetimor për një panoramë më të qartë lidhur me dinamikën e krimit.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 11:15, në lagjen “Mark Lula”, janë gjetur në një automjet, shtetasi K. M., 34 vjeç dhe shtetasja A. P., me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

Shtetasi K. M. ka humbur jetën, ndërsa shtetasja A. P.  është dërguar në spital, në gjendje shumë të rëndë.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për rastin.

Nga veprimet e para rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme të shkaktuara nga armë zjarri. Në brendësi të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punon për zbardhjen  e rrethanave të ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb