RUSI- Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pranuar për herë të parë se plani për të aneksuar Krimenë është urdhëruar disa javë para referendumit për vetëvendosje, bëhet e ditur përmes trajlerit të një dokumentari të ardhshëm.

Putin u shpreh se kishte dhënë urdhër që të nisë puna për kthimin e Krimesë si pjesë të Rusisë më 22 shkurt gjatë një takimi, i cili u mbajt pas rrëzimit të presidentit të Ukrainës, Viktor Janukoviç.

Putin tha më tej se takimi me zyrtarët bëhej për të planifikuar shpëtimin e Janukoviç. “Unë ftova liderët e e shërbimeve tona speciale dhe ministrin e brendshëm të Kremlinit dhe iu caktova detyrën për t’i shpëtuar jetën presidentit të Ukrainës, Janukoviç, të cilin do ta vrisnin”, është shprehur ai.

“Takimi ynë përfundoi në mëngjes. Kur po ndaheshim i thashë kolegëve të mi: Jemi të detyruar të nisim punën për t’i kthyer Krimenë Rusisë”.

Ndërkaq, Presidenti rus Putin u shpreh vitin e kaluar se mori vendim përfundimtar rreth Krimesë pas zhvillimit të një sondazhi sekret i cili tregoi se 80% e banorëve të Krimesë dëshironin t’i bashkoheshin Rusisë. Krimea u aneksua zyrtarisht nga Rusia më 18 mars, një veprim, i cili u dënua ndërkombëtarisht.

 

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb