Drejtoresha e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole e ftuar sot në rubrikën “Opinion” në News24, deklaroi se duhet të identifikohen personat të cilët kanë lidhje me krimet e së shkuarës të Komunizmit dhe emrat e tyre të bëhen publik.

Më tej ajo shtoi se kryeministri Edi Rama, nga mënyra e diskursit vitet e fundit dhe “se si përpiqet ta sjellë vëmendjen tek babai i tij duke thënë se ai ishte në anën e duhur të historisë, i jep krahë grupit që glorifikoi diktaturën”.

Sipas saj, Rama duhej të pranonte dhe dënonte aktet e babait të tij.

“Të identifikohen personat të cilët kanë lidhje me krimet e së shkuarës dhe emrat e tyre të bëheshin publik.

Nëse do të kishim këto fakte shoqëria do të reagonte. Nuk ka pasur vullnet politik nga asnjëra palë për të pasur diçka të tillë. Pasqyrim i shoqërisë janë deputetët që janë pjesë e komisioneve. Nga ana tjetër nuk është vetëm kjo. Në nisje të 90 kush guxonte të hapte gazetën me foto të diktatorit Hoxha. Deri në fund të viteve ‘90 kishte stepje. U duk se shoqëria zuri mend. Nga viti 2000 dhe këtej, me ardhjen në pushtet të PS gjërat ndikuan në mënyrë radikale. Ligjet e nisura nga PD nuk u respektuan në lidhje me të përndjekurit.

E gjithë shoqëria u mor me temat e mbijetesës së përditshme. U mor me faktin se kujt derri do t’i themi dajë në mënyrë që të mbijetoj dhe të kem fëmijët në punë.

Ata nuk lënë asnjë institucion të punojë në mënyrë të pavarur.

Tufa apo të tjerë kanë ulur kokën apo janë larguar. Nëse e ngre zërin goditesh nga të gjitha palët jo më vetëm nga një palë.

Kryeministri Rama ka qenë person frymëzues për studentët e viteve ’90. Gjithë ligjërimi i tij ka qenë tjetër nga aktuali. Nuk e them që Rama është komunist, por mënyra e të folurit dhe diskursi i tij, vitet e fundit, mënyra se si përpiqet që të sjellë vëmendjen tek babai i tij dhe të thuash që ai ishte në anën e duhur të historisë, i jep krahë grupit që glorifikoi diktaturën. Duhet të pranonte dhe dënonte aktet e babait të tij”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb