Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin në vizitën që ka bërë sot në Ukrainë, ku ka zgjedhur të shohë nga afër qytetet e Kievit, Irpinit dhe Buchas është takuar me presidentit Volodymir Zelensky.

Ajo njoftoi planet për mbështetje shtesë për Ukrainën, duke përfshirë një rritje të dërgesave të armëve.

Pasi dëgjoi dëshmitë e banorëve vendas për mizoritë e kryera nga ushtarët rusë, Marin theksoi se Finlanda mbështet Ukrainën dhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare për sjelljen e autorëve para drejtësisë.

Sipas një deklarate të shpërndarë nga qeveria finlandeze në lidhje me vizitën e saj, kryeministrja tha se nuk ka “vend për mosndëshkim”.

“Gjatë vizitës, Marin dënoi ashpër veprimet e Rusisë në Ukrainë, duke i quajtur ato një shkelje flagrante të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar. Është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të jetë i bashkuar, i guximshëm dhe i vendosur përballë pushtimit të Rusisë. Është e rëndësishme të krijohen hapa konkretë që Ukraina të bëhet një shtet anëtar i BE-së”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb