TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda pas më shumë se tre orësh qëndrimi në Dhomën e Këshillimit ka shpallur vendimin ndaj 9 të arrestuarve, të cilët akuzohen për rekrutimin e disa personave dhe për dërgimin e tyre në Siri.

Për imamin e vetëshpallur Genci Balla lihet në fuqi vendimi me 17 vite burg. Me 13 vite burg është dënuar edhe Edmond Balla, duke mos iu ndryshuar masa e dhënë më parën.

Gjithashtu mbetet në fuqi vendimi për të pandehurin Bujar Hysa, i dënuar me 18 vite burg.
Të gjithë të pandehurit e tjerë kanë përfituar ulje dënimi.

Orion Recit i përgjysmohet dënimi nga 13 vite në 6.8 vite burg; Fadil Muslimanit i ulet dënimi nga 12 në 10 vite burg. Zeqir Imerit nga 16 vite burg, i ulet dënimi në 13 vite.

Për të pandehurin Verdi Morava, Gjykata e Krimeve të Rënda pushoi çështjen për propagandë, pasi nuk u vërtetuan akuzat.

Në fuqi ka mbetur vendimi edhe për imamin e vetëshpallur të Mëzezit.

Të pandehurit braktisën sallën e gjyqit, pasi sipas tyre duhet të kryenin ritin e faljes. Në momentin kur Gjykata do të jepte vendimin ata janë kthyer në sallën e gjyqit.

Ka patur masa të rrepta sigurie në seancën e sotme, forca ta të shumta sigurie kanë qëndruar në gjykatë, por edhe përreth saj. Ka pasur edhe forca të Shqiponjave në ambientet e jashtme të Gjykatës.
Ndërsa mësohet se në ambientet e Gjykatës ka patur mbështetës të shumtë të të pandehurve.

SHTYHET VENDIMI PËR ‘XHIHADISTËT’, KËRKESA E TË PANDEHURVE NË GJYQ: DUAM TË FALEMI
Në një kohë kur ata duhet të ishin në gjyq ku do të zhvillohej seanca ndaj tyre ku do të jepej dhe vendimi për akuzën për rekrutim dhe dërgim të besimtarëve myslimanë shqiptarë në Siri, 9 të pandehurit kanë lënë sallën.

Kjo shtyrje e vendimit vjen pas kërkesës së ‘xhihadistëve’ se duhet të kryenin ritualin e faljes. Të gjendur përballë kësaj kërkesë, trupi gjykues ka tërhequr vendimin për një moment tjetër. Mësohet se rreth orës 14:15 të pandehurit u shoqëruan për të kryer faljen.

Procesi gjyqësor ndaj nëntë të pandehurve, mes tyre dy imamët e vetëshpallur, Genci Abdurrahim Balla dhe Bujar Hysa, prej disa kohësh po tentohet me çdo kusht të zvarritet nga ana e tyre, për arsye që nuk dihen. Kjo bie në sy, pasi përdorin të njëjtat metoda të përdorura në procese të tjera gjyqësore, ku të pandehur për krime tejet të rënda shtynin seancat duke braktisur sallën e gjyqit.

(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: