DVP Dibër, plan masash për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 4 të tjerë.

Strukturat e DVP Dibër, në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit, përgjatë javës kanë evidentuar dhe goditur 5 raste. Si rezultat nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër është arrestuar në flagrancë shtetasi M. Gj., pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin furgon në gjendje të dehur, të ngarkuar me lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: H. D., H. L., A. D., pasi janë konstatuar duke kryer punime ndërtimi pa u pajisur me leje nga organet përkatëse.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal dhe për shtetasin P. Gj., pasi është konstatuar duke transportuar me një automjet lëndë drusore pa dokumentacion përkatës.

Policia e Dibrës do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb