KOSOVË

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi  teksa ka kujtuar 20-vjetorin e vrasjes së tre vëllezërve Yll, Agron e Mehmet Bytyqi tha se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në ndëshkimin e krimit të Serbisë të kryer  ndaj qytetarëve të Kosovës.

Ai thotë mes tjerash se përgjegjësit e këtij krimi vijojnë jetën normalisht në Serbi, madje, ushtrojnë edhe poste drejtuese në disa institucione. Kreu i shtetit të Kosovës ka publikuar disa shifrat, të cilat sipas tij faktojnë dhe tregojnë “fytyrën e vërtetë” të regjimit spastrues të Serbisë mbi popullsinë civile të Kosovës.

“U bënë 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi dhe përgjegjësit e këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë në Beograd, duke udhëhequr institucione dhe duke u dekoruar nga shteti serb. Drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë: të vrasësve të mbi 13 mijë civilëve shqiptarë, ndëshkimin e kriminelëve serbë që dhunuan mbi 20 mijë gra shqiptare, që vranë mbi 1300 fëmijë dhe kryen rreth 400 masakra anekënd Kosovës. Kriminelët serbë që i kryen këto krime, që bënë spastrim etnik, duke i larguar prej shtëpive të tyre mbi 1 milion shqiptarë, që kryen gjenocid mbi popullsinë e Kosovës, vazhdojnë të sillen lirshëm dhe janë tërësisht të amnistuar nga drejtësia ndërkombëtare. Kosova, qytetarët tanë, kërkojnë drejtësi. Heshtja ndërkombëtare përballë këtyre krimeve nuk është në shërbim të drejtësisë dhe paqes, por në shërbim të kriminelëve! HTH”-shkruan Thaçi në “Facebook”.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb