Ministria e Brendshme thirri një takim konsultativ me përfaqësues të institucioneve shqiptare, akademisë, medias dhe shoqërisë civile për diskutimin mbi të ashtuquajturat “krime okulte”, për të diskutuar rreth qasjes që duhet të kemi për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda.

Nën drejtimin e zv.ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit, Komiteti i Kulteve, Qendra e Koordinimit Kombëtar kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Fakulteti i Drejtësisë, Urdhri i Psikologut dhe mediat, diskutuan mbi këtë çështje me ndjeshmëri të lartë publike.

Lamallari shpjegoi qëllimin e thirrjes së këtij takimi duke falënderuar përfaqësuesit e akademisë, shoqërisë civile dhe medias për interesin dhe angazhimin e tyre dhe nënvizoi nevojën për një trajtim të kujdesshëm duke qenë se kemi të bëjmë me një çështje sensitive. Përfaqësuesit e organit të akuzës dhe agjencive të zbatimit të ligjit vunë në dukje mangësitë dhe nevojat për përmirësime ligjore me qëllim kriminalizimin dhe ndëshkimin e autorëve të dyshuar si organizatorë apo nxitës të këtyre veprave të rënda si dhe nevojën për njohuri më të thella mbi ritualet ezoterike apo besimet alternative, sidomos atyre organizimeve veprimtaria e të cilave mund të konsiderohet antikushtetuese, e paligjshme dhe e rrezikshme në aspektin e sigurisë.

Sipas tyre është e domosdoshme të bëhen ndryshime në Kodin Penal. Përfaqësuesit e akademisë në këtë takim, ofruan një panoramë të përgjithshme të këtij fenomeni, duke e ilustruar gjithashtu edhe me përvoja të vendeve të ndryshme si SHBA, Itali, Francë etj. Sipas tyre, duhet të ketë ndryshime edhe në kurrikulat e Akademisë së Sigurisë dhe trajnimet e posaçme, por natyrisht që barra nuk i duhet lenë plotësisht vetëm Policisë së Shtetit. Për parandalimin e krimeve të tilla duhet një bashkërendim i shumë institucioneve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb