Stafi mediatik i “News 24”, ka mbërritur në Elbasan, aty ku pak orë më parë ndodhi një atentat i rëndë, me 1 të vrarë e një të plagosur.

Viktimë kanë mbetur Lulzim Bitri, ndërsa Ardian Çollaku, është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë. Gazetarja Doriana Bezat, raporton nga vendi i ngjarjes se autorët kanë lëshuar në drejtim të dy viktimave të paktën 15 plumba. Po ashtu, trupi i pajetë i Lulzim Bitrit ndodhej ende në vendngjarje, ku po këqyret nga grupi hetimor.

Nga informacionet e siguruara, rezulton se si Bitri dhe Çollaku lëviznin me makine të blinduara dhe autorët, kanë pritur pikërisht momentin që ata kanë qenë në këmbë për t’i qëlluar. Pista që po hetohet aktualisht është ajo e larjeve të hesapeve, raportoi gazetarja.

Ndërkaq, vlen për t’u theksuar se pas krimit të rëndë, autorët kanë djegur në zonën e Metalurgjikut një mjet tip “Volvo”.

Dyshohet se më pas, ata janë larguar ose në një zonë në qytet, ose janë ndihmuar nga një mjet tjetër, për t’u larguar në një tjetër vend. Megjithatë, policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në vendngjarje me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve. Sa i përket zonës ku ndodhi krimi, një bar kafe në hyrje të qytetit, ajo është e rrethuar nga shumë kamera.

Ata janë sekuestruar nga uniformat blu dhe pritet që të tregojnë detaje të reja që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb