Nëna e Ermira Dushit, Floresha, përlotet dhe e ka të vështirë ta përballojë tragjedinë që ka ndodhur në familjen e saj. “Vajza ime nuk e meritonte të vdiste kaq e re”, thotë ajo në një rrëfim për të përditshmen “Panorama”.

“Jemi pa fjalë. Nuk e meritonte të vdiste kaq e re. Kërkojmë të na zbardhet ngjarja. Se çfarë e lidhte vajzën time dhe personin që ishte me të në makinë, ata e morën me vetë në varr, prandaj që ne të kemi informacion për vetën tonë, për fëmijët tanë dhe fëmijën e saj, duhet që policia të na japë fakte e dëshmi”, shprehet mes lotëve nëna e 29­ vjeçares.

Ashtu sikurse i shoqi, edhe ajo nuk mund ta besojë se vajza e tyre ka pasur një lidhje jashtëmartesore, pasi siç shprehet e bija e donte të shoqin dhe nuk kishin asnjë problem apo mosmarrëveshje mes tyre.

“Nuk kam si ta shpjegoj dhimbjen. Vetëm një nënë mund ta di se çfarë dhimbje është ajo e fëmijës. Nuk mund ta dijë askush tjetër. Kur e mësuam ngjarjen, im shoq mbeti gati i ngrirë dhe unë po ashtu, dhe po rrinim pa fjalë. Nuk po na dukej e vërtetë. Edhe kur do të nisesha për të ardhur këtej, po shpresoja se do ta gjeja gjallë. Nuk ma pranonte vetja që vajza ime aq energjike që e donte jetën të më kishte ikur pa më thënë asnjë fjalë. Nuk ishte e papërballueshme. Nuk mbaj mend se si jemi bërë gati e jemi nisur dhe nuk di se si e kam përballuar idenë që e pashë të shtrirë, pa jetë. Ishte sikur kisha
vdekur vetë. Edhe tani s’e besoj dot se e kam varrosur këtu në fshatin e saj të lindjes”, shprehet nëna e Ermira Dushit Arapi, e cila u gjet bashkë me Drini Dervenin pa jetë në makinën e këtij të fundit
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb