TIRANE- Të tjera detaje vijnë nga krimi makabër që tronditi kryeqytetin dhe jo vetëm, ku një 53-vjeçar shkoi deri në marrëzi sa vrau me pistoletë ish-gruan. “BalkanWeb” mëson se aktualisht trupi i pajetë i 39-vjeçares Fildes Hafizi, me profesion gjyqtare, është transportuar për në morgun e Tiranës, ku do t’i nënshtrohet edhe ekspertizës mjeko-ligjore.

Ndërkohë, autori i krimit ndodhet në drejtorinë e Policisë së qarkut të Tiranës, ku do të merret në pyetje edhe nga prokurori i çështjes, Dritan Prençi. Ajo u vra brutalisht me 2 plumba në automjetin e saj, fill pasi kishte dalë nga një sallon bukurie ku kishte bërë një krehje floku, ndërsa ishte përballur me ish-burrin. Pas një debati të ashpër me të, ish-burri Fadil Kasemi, e ka qëlluar për vdekje nënën e dy fëmijëve të tij, në zonën e ‘Xhamllikut’.

Po ashtu, “BalkanWeb” mëson se viktima jetonte shumë afër vendit të ngjarjes, me dy fëmijët dhe prindërit e saj të moshuar. Po ashtu, raportohet se edhe ish-burri jetonte shumë pranë kësaj zone. Mes të tjerash, pasi kreu krimin, autori tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes bashkën me armën e krimit, e cila iu sekuestrua gjatë momentit të arrestimit. Ndërkohë, skenën makabre pas krimit e pa edhe nëna e viktimës, e cila kishte parë trupin e pajetë të së bijës në automjet, ndërsa ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.

SI NISI DEBATI MES ÇIFTIT
Prej kohësh dy ish-bashkëshortët kishin pasur konflikte mes njëri-tjetrit. “BalkanWeb” mëson se zënkat e tyre nisën pasi Fadil Kasemi ishte xheloz për gruan, sherre që kaluan në dhunë fizike. Pas episodeve të përsëritura të dhunës, Fildes Hafizi i është drejtuar gjykatës ku ka kërkuar edhe divorcin, gjë e cila nuk është pranuar nga Kasemi. Pavarësisht divorcit, ai i kërkonte ish-bashkëshortes që të ribashkoheshin, ndërsa e përndiqte gjatë gjithë kohës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb