NGA SONILA MUSAJ

Ish-burri i motrës së Aleksandër Kurtit që u vra në Belgjikë në vitin 1999, ka qenë dje i pranishëm në seancën gjyqësore të Mark Frrokut. Ardian Ukaj ka qenë i thirrur në cilësinë e dëshmitarit për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, gjykatës dhe avokatit të të pandehurit Frroku. Ardian Ukaj deklaroi para gjykatës se kur ndodhi vrasja e Aleksandër Kurtit, ai ka qenë duke punuar në bahçen e shtëpisë së tij. Ai tregoi se lajmin e vdekjes e mësoi nga një punonjës i hidrocentralit të Komanit që quhet Nik Nika. Ukaj deklaroi se, pasi mori vesh për vdekjen, u nis drejt Shkodrës me makinën e tij tip “Benz 2400”, ndërsa tha se vjehrra dhe vjehrri i tij ishin në dijeni të vrasjes.

“U kam ndenjur pranë me sa kam mundur, i kam ndihmuar në ceremoninë mortore, por unë s’kam lidhje më me ta, pasi me motrën e Aleksandrit jam ndarë që në vitin 2001”, – tregoi dëshmitari Ukaj. Më tej ai shtoi se, dy javë pas varrimit, vjehrra e tij, Mrikë Kurti i tha që Aleksandrin e ka vrarë Aleks Vukaj, ndërsa u shpreh se e ka me të dëgjuar se janë zënë për punë femrash. Sipas Ardian Ukajt, vëllai i ish-gruas së tij punonte punë të ndershme. Ukaj tha se në Londër Aleksandri përdorte një emër kosovar, njihej si Azem Shkreli, ndërsa të afërmit e thërrisnin me pseudonim Ndoc. Ukaj tha se me të dëgjuar ka mësuar se, para se ta vrisnin, Aleksandri ishte konfliktuar edhe me persona të tjerë, të cilëve nuk ua di emrin. E dyta që ishte thirrur në cilësinë e dëshmitares ishte Lumturi Velaj.

Ajo ishte thirrur për të treguar çfarë di në lidhje me kompaninë “Xhoi Lloto”. Lumturi Velaj ka qenë drejtoreshë finance pranë “Xhoi Lloto” nga shtatori 2011 deri në shkurt 2014. Ajo deklaroi se aksionerët Ervin Canollari dhe Mark Frroku nuk kanë pasur asnjë detyrim ndaj shtetit, pasi kanë qenë të rregullt me taksat. Si ish-punonjëse, Velaj tha se kompania kishte shumë fitime, pasi “Xhoi Lloto” ushtrohej në të gjithë territorin, por me shpenzimet ata bënin edhe investime për kompaninë. E pyetur se si bëheshin transaksionet, Velaj u përgjigj se bëheshin në bankë, por edhe kesh, që ishin pjesë e bilancit, ndërsa shtoi se mbi të ardhurat ajo bazohej në server.

“Çdo gjë ka qenë e dokumentuar. Unë mbaj përgjegjësi për aq kohë sa kam punuar, pasi e di se si funksiononte”, – është shprehur ajo. E treta dëshmitare ishte Ermira Kurti, edhe kjo ishpunonjëse e “Xhoi Lloto”. Ajo ka punuar në këtë kompani që prej qershorit të 2009-ës deri në maj të 2016-ës. Kurti tha se Mark Frroku paguhej nga kompania me pagë maksimale. Ashtu si Kurti, të njëjtin qëndrim mbajti edhe dëshmitarja tjetër Lumturi Velaj. Të dyja ish-punonjëset deklaruan se kishin dijeni edhe për dy kompani që i administronte i pandehuri Frroku: konkretisht “IDA shpk” dhe “INKAS Kafe”. Gjatë seancës, avokati i Frrokut, Tonin Prendi i kërkoi gjykatës që, pasi të mbarojë pyetja e të gjithë dëshmitarëve, të merret në pyetje edhe ekspertja Greta Danku, që ka analizuar pasurinë e Frrokut.

Ndërsa ish-deputeti kristiandemokrat deklaroi se e gjithë pasuria e tij është vënë me punë të ndershme nga ai dhe familja e tij. “Prokuroria s’ka llogaritur rrogën time të deputetit, imagjino çfarë ka bërë me të tjerat! Unë i kam paguar shtetit 7 milionë USD taksa e tatime. Është e vërtetë që kam 2 milionë USD, po i kam bërë me punë të ndershme. Po deshën, le t’i marrin”, – u shpreh Frroku gjatë fjalës së tij, ndërsa iu drejtua dy prokurorëve se “ju keni urdhër nga shefi juaj që t’i sekuestroni”. Seancën tjetër pritet që të dëshmojnë ishdeputeti Tom Doshi dhe xhaxhai i Aleksandër Kurtit. Ishdeputeti Mark Frroku akuzohet për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Belgjikë, kur pas një përleshjeje ndërmjet tyre, në bashkëpunim me disa të tjerë, mbeti i vdekur Kurti.

“Nga hetimet rezultoi se i pandehuri Frroku dhe tre bashkëpunëtorët e tij kanë vrarë shtetasin Kurti, për shkak të përplasjeve në aktivitetin e paligjshëm të shfrytëzimit të prostitucionit”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Mark Frroku do përballet me drejtësinë edhe për akuzën e “Fshehjes së pasurisë”. “Gjatë hetimeve të kryera, bazuar në kallëzimin penal të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), shtetasi Mark Frroku akuzohet se nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë në vlerë mbi 2 milionë dollarë (saktësisht 209.627.- 218 lekë të reja)”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Një tjetër akuzë që rëndon ndaj tij është edhe ajo e “Ndërtimit të paligjshëm”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb