NGA: FATMIR POPJA*PEQIN- Djali tentoi të vriste nënën e tij, ndaj e qëllova me pesë plumba pistolete. Ai na kishte kërcënuar vazhdimisht mua dhe bashkëshorten time, duke na thënë se do të vdisnim të tre dhe se asnjëri nuk do të dilte i gjallë nga shtëpia”. Kështu ka deklaruar në polici 70-vjeçari Ismail Bahja nga fshati Paulesh i rrethit të Peqinit, i cili mbrëmjen e së martës ekzekutoi të birin, 33- vjeçarin Elton Bahja. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, burime pranë grupit hetimor pohuan se konfliktet në familjen Bahja kishin nisur rreth tre muaj më parë.

Sipas familjarëve të viktimës, Eltoni kishte filluar t’u bënte presion prindërve që të shisnin tokat që kishin dhe me paratë që do të siguronte të shkonte në Kanada, ku jeton prej vitesh i vëllai. Motrat e 33-vjeçarit kanë pohuar se ai çdo ditë shkonte në gjendje të dehur në shtëpi dhe dhunonte nënën me pretendimin se ata ishin fajtorë që ai nuk mundi të shkojë në Kanada. Mësohet se asnjëri nga prindërit nuk ia kishin bërë me dije dhunën e ushtruar nga djali i tyre shtatë fëmijëve të tjerë. Ismail Bahja duke mos e duruar dot më dhunën që ushtronte djali ndaj tij, por më së shumti ndaj bashkëshortes, pak ditë më parë u kishte kërkuar ndihmë fëmijëve të tjerë që t’i gjenin një psikolog. Dje, katër vëllezërit dhe tri motrat kanë përcjellë në banesën e fundit Elton Bahjan.

DËSHMIA E BABAIT
Ismail Bahja ka rrëfyer me detaje rrethanat e ngjarjes. Ai ka thënë se ditët e fundit Eltoni ishte indinjuar shumë, pasi kishte kuptuar se motrat e vëllezërit e tij ishin në dijeni se ai keqtrajtonte prindërit. “Mbrëmjen e së martës ai u kthye i dehur në shtëpi dhe na nxori me forcë jashtë. Unë dhe bashkëshortja u trembëm shumë. Por, ai shumë shpejt e hapi derën dhe na futi sërish brenda në banesë. Eltoni kishte vendosur mbi tavolinë disa kokrra fostoksinë. Ai shtriu gruan time në divan dhe duke e goditur tentonte t’i hapte gojën për t’i futur fostoksinën me qëllim që ta helmonte. Unë nisa t’i bërtas dhe t’i them se ajo është gruaja ime, kemi kaluar jetën bashkë, kemi rritur tetë fëmijë, çfarë bën kështu. Por, Eltoni u kthye nga unë dhe më tha se mbas kësaj e ke radhën dhe ti dhe unë. Të tre do të vdesim, asnjë nuk del i gjallë nga kjo shtëpi. Doje t’u tregoje vëllezërve ti, atëherë të tre do të vdesim. Pasi mi tha këto fjalë, nisi të më godiste dhe mua”, u ka deklaruar para bluve 70-vjeçari.

Gjithashtu, plaku ka thënë se në momentin kur i biri po e godiste ka humbur arsyen. “Në atë moment nuk munda të duroja më, ndaj mora armën që kisha në sirtar dhe e qëllova. Jam penduar shumë që vrava tim bir, por nuk e di se çfarë më ndodhi në ato moment”, është shprehur Ismail Bahja. Ndërkaq, burimet e mësipërme sqaruan se 70-vjeçari ka qëlluar me pesë plumba të birin, tre prej të cilëve e kanë goditur në kraharor dhe dy në kokë.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: