Pas ngjarjes së Fierit që tronditi të gjithë opinionin publik, kur bashkëshorti rrahu dhe hodhi gruan e tij të zhveshur nga dritarja e pallatit, ka reaguar Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve. Shoqata është shprehur se për këto ngjarje faji nuk i duhet drejtuar vetëm gjyqësorit por se “të gjithë jemi fajtorë”

“Konstatojmë me keqardhje që për një periudhë të gjatë kohe nga faktorë të ndryshëm të vendit, kryesisht ata politikë, po hidhet baltë në mënyrë të parreshtur ndaj pushtetit gjyqësor.Një sjellje e tillë armiqësore e ka paraprirë nisjen e procesit të shumëpritur të reformës në drejtësi dhe po e shoqëron atë. Klima e nderë dhe e tensionuar që ekziston ndërmjet pushtetit politik dhe atij gjyqësor, por mbi të gjitha mosbesim i qytetarëve në organet shtetërore, rëndohet edhe më tepër nga deklarata të tilla dashakeqe, të pabazuara dhe arrogante që kryhen ndaj sistemit gjyqësor” thuhet në reagimin e Shoqatës.

Shoqata e Gjyqtarëve ngriti disa pyetje në lidhje me rastet e dhunës në familje: “Pse nuk janë siguruar qendra sociale për strehimin e viktimave nga ministritë e linjës, pse policia e shtetit nuk kryen detyrën e saj, duke filluar procedimin penal ndaj autorit të dhunës në familje, apo pse nuk sigurohen banesa sociale për personat që vendosen të largohen nga banesa”. Shoqata gjithashtu bëri thirrje të mos cënohet pavarësia e gjykatave nga funksionarët.

Pak ditë më parë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri fajësoi sistemin e drejtësisë për vrasjen e 43-vjeçares Liliana Ruko në Fier. Tahiri tha se urdhri i mbrojtjes së Gjykatës nuk kishte shkuar kurrë në polici edhe pse sipas ligjit duhet të shkonte brenda 24 orësh tek të gjitha institucionet.

Ndërsa Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani në një aktivitet për dënimet alternative  kërkoi nisjen e procedimit për gjyqtarin Ergys Selmani i cili nuk mbrojti Liljanën. Ai gjithashtu i bëri thirrje gjyqtarëve të mos nënvlerësojnë rastet e dhunës.

Deklarata e plotë
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të përmbushjes së objektivave themelore të saj, ndër të cilët theksojmë promovimin e vlerave gjyqësore dhembrojtjen e pushtetit gjyqësor nga sulmet e padrejta që synojnë cenimin e pavarësisë së tij si dhe uljen e standardit të dhënies së drejtësisë, marrë shkas nga ngjarja e fundit kriminale e ndodhur në qytetin e Fierit, ku një grua, nënë e dy fëmijëve humbi jetën si pasojë e veprimeve të dhunshme të bashkëshortit të saj, ndjen detyrimin moral për të sqaruar opinionin publik, median, politikën, por dhe të gjithë aktorët ligjzbatues në lidhje me situatën aktuale të dhunës në familje dhe rolin e gjyqësorit në lidhje me të.
Konstatojmë me keqardhje që për një periudhë të gjatë kohe nga faktorë të ndryshëm të vendit, kryesisht ata politikë, po hidhet baltë në mënyrë të parreshtur ndaj pushtetit gjyqësor.Një sjellje e tillë armiqësore e ka paraprirë nisjen e procesit të shumëpritur të reformës në drejtësi dhe po e shoqëron atë. Klima e nderë dhe e tensionuar që ekziston ndërmjet pushtetit politik dhe atij gjyqësor, por mbi të gjitha mosbesim i qytetarëve në organet shtetërore, rëndohet edhe më tepër nga deklarata të tilla dashakeqe, të pabazuara dhe arrogante që kryhen ndaj sistemit gjyqësor në përgjithësi dhe ndaj gjyqtarëve në veçanti. Dhuna në familje është një dukuri shumë shqetësuese për shoqërinë shqiptare, e cila për fat të keq është duke vuajtur ende pasojat e një tranzicioni të tejzgjatur.

Problematikat që kanë lindur në lidhje me dhunën në familje, si një fenomen antisocial, edhe pse janë përpjekur të trajtohen si nga shoqëria civile por edhe nga institucionet përkatëse shtetërore nuk kanë gjetur kurrë zgjidhje të përshtatshme. Zgjidhjet e pjesshme që janë ofruar, më tepër kanë çuar në rëndimin e fenomenit sesa në shërimin e tij. Si rrjedhojë, të gjithë ne, si pjesëtarë të shoqërisë, jemi përgjegjës për situatën aktuale të dhunës në familje, duke përfshirë institucionet ligjvënëse, ligjzbatuese, por edhe publikun e gjerë. Është e papranueshme që për një akt kriminal të fajësohet vetëm pushteti gjyqësor.
Krimi në përgjithësi dhe krimi në familje, në veçanti, nuk ndodh vetëm sepse gjykata nuk jep gjykimin e kërkuar. Krimi është një sjellje antihumane dhe antiligjore , që ka shkaqet dhe pasojat e tij, e si i tillë duhet të trajtohet në mënyr ë integrale . Referuar çështjes së rëndë të ditëve të fundit , askush nuk analizon shkaqet pse një krim i tillë ndodhi, por shumë syresh mundohen të varin në xhaketë medaljen e mbrojtësit të vlerave dhe denoncuesit të së keqes ose të lajnë duart, duke e hequr përgjegjësinë nga vetja .
Nëse edhe gjyqësori do të reagonte me një shkallë të tillë papjekurie , atëherë ne do të shtronim pyetjet: pse nuk janë siguruar qendra sociale për strehimin e viktimave nga ministritë e linjës, pse policia e shtetit nuk kryen detyrën e saj, duke filluar procedimin penal ndaj autorit të dhunës në familje, apo pse nuk sigurohen banesa sociale për personat që vendosen të largohen nga banesa, si pasojë e marrjes së masave kundër dhunës në familje.

Pyetje të tilla sigurisht që do 1 të mbeteshin pa përgjigje, pasi siç u theksua problemi është shumë më kompleks nga sa trajtohet. I ftojmë të gjithë aktorët dhe faktorët shtetërorë, median , por edhe opinionin publik, që nga ngjarje të tilla kriminale të nxjerrim mësimet e duhura dhe secili prej nesh të kërkojë përgjegjësitë e veta. Gjithashtu, i ftojmë që problemin ta trajtojnë me gjakftohtësi dhe të mos hedhin akuza përbaltëse ndaj sistemit gjyqësor. Në të njëjtën kohë, i kujtojmë funksionarëve ekzekutivë dhe politikë që gjykatat janë të pavarura dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Çdo përpjekje për të cënuar këtë pavarësi vjen në kundërshtim me vlerat më të larta demokratike të cilat synojmë t’i mbrojmë dhe promovojmë. Në fund na lejoni t’iu ftojmë për të qenë më të përgjegjshëm në trajtimin e rasteve të ngjashme dhe të mos nxitohemi për të hedhur akuza ndaj njëri – tjetrit. Kjo , jo vetëm që nuk do ta zgjidhte problemin, por nga ana tjetër, do ta rëndonte atë dhe do të acaronte klimën tashmë të tendosur ndërmjet pushtetit politik dhe atij gjyqësor. Në këtë kontekst, një sjellje e tillë do të minonte një nga reformat më të rëndishme që po kryen vendi ynë në këtë çerekshekull demokraci, atë në sektorin e drejtësisë, duke i dhënë sakaq ngjyrime të gabuara, të cilat do ta dëmtonin në themel besimin reciprok dhe çka është më e rëndësishme besimin e publikut në organet shtetërore, çka përbën gurthemelin e ndërtimit të shtetit të së drejtës.
(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb