Këtë të enjte Gjykata e Lushnjës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Kastriot Hasallën, 47-vjeçarin që vrau me armë gjahu 30-vjeçarin Romeo Hasalla, e plagosi 2 vëllezërit e babain e këtij të fundit.

Vëllai i madh i Kastriotit, Jonuz Hasalla, në një prononcim për gazetarin e “News 24”, Julian Kasapi ka treguar se nuk e di se si ka ndodhur ngjarja, pasi ka vite që është larguar nga fshati.

Vëllai i autorit tha se do të shkoj për ngushëllim në familjen e viktimës dhe të të plagosurve, duke marrë përsipër të gjithë rrezikun që mund të ketë. Gjithashtu ai kërkoi mëshirë nga drejtësia, duke kërkuar që dënimi të mos jetë i rëndë.

“Unë quhem Jonus Hasalla. Jam vëllai i madh i Kastriotit dhe Afrimit. kërkoj nga trupi gjykues mëshirë. Krimi u bë, nuk duhet të ishte bërë, por ndodhi. Unë kam mbi 20 vite që jam larguar nga fshati. Kisha tre vite pa shkuar, që për vdekjen e mamasë. Sherri ka ndodhur për një tokë kot, e cila është shtet. Unë kam vajtur nga ora 3 e gjysmë, sepse kam ca dele. Kur kam ardhur në orët e para të mëngjesit, nga ora 8 mori policinë në telefon.

Ata erdhën dhe më morën, nuk dija asgjë. Pyeta dhe gruan e ajo më tha që s’di gjë. Kam qëndruar nga mëngjesi në darkë në polici. Unë dëgjova vëllain që tha që vëllai tjetër dhe nipi janë të pafajshëm. Nuk di gjë tani. Unë te “News 24” pashë vëllain, kisha 4 vite që s’e kisha parë. Inshallah më lejojnë ta shoh. Dua mëshirë, jo burgim të përjetshëm. S’do doja kurrë të shkonte në këtë fazë. I trembem hakmarrjes, edhe mundet. Nuk kemi kontaktuar me palën tjetër.

Do të iki të takojë me ta. Do të shkoj nesër apo nesër, duart do i lidh. Do iki ta ngushëlloj, sepse edhe ai vëlla e ka. Nuk jemi të një gjaku, por edhe ata bij nënash janë ato që janë atje. Do iki ta ngushëlloj, daç më falin e daç më vrasin, unë do të shkoj”, tha Jonus Hasalla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb