Pas vrasjes tragjike të 20-vjeçares Caroline dhe arrestimit të bashkëshortit të saj Babis, i cili pranoi autorësinë e krimit, e gjithë vëmendja është te vogëlushja e tyre Lidia.

Të dyja familjet, si ajo e Caroline, por dhe ajo e Babisit, kanë kërkuar të marrin kujdestarinë e vajzës. Familja e 20-vjeçares kërkon që të sigurojnë kujdestarinë e plotë të mbesës së tyre, me pretendimin se në Athinë, ajo do të njihej si vajza e personit që i vrau të ëmën.

Ndërkohë, nga krahu tjetër, prindërit e pilotit, kanë kërkuar që kujdestaria t’i kalojë të dyja palëve. Pra, nga muaji tetor, e deri në prill, të kenë ata të drejtën për t’u kujdesur për vajzën, e në muajt në vazhdim, e mitura të qëndrojë te prindërit e mamasë. Këtë kërkesë e ka konfirmuar avokati i familjes së pilotit, Giannis Kotsos.

“Ne kemi bërë një kërkesë të qartë. Kemi kërkuar që kujdestaria të ndahet në mënyrë të barabartë, si për gjyshërit nga ana e babait dhe gjyshërit nga ana e mamasë. Kjo është e dobishme dhe e nevojshme për rritjen e qetë të vajzës”, ka thënë avokati.

Ana, një familjare e pilotit ka thënë:

“Zgjidhja e propozuar është shumë e mirë. Do të krijohet një marrëdhënie e ngushtë emocionale mes dy familjeve dhe mbesës ë mitur. Për këtë duhet durim dhe kohë, por më besoni, është në të mirën e të gjithëve”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb