TIRANË

Analistët Artur Zheji dhe Mentor Nazarko kanë folur sot në emisionin “Pikat mbi i” në News24 për kriminalitetin në vend si dhe rolin e qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile. Nazarko tha se mungesa e rotacionit është një nga shkaqet dhe duke qenë vetëm një parti, opozita e humb dinamizmin. Sipas tij, shoqëria civile mund të bëjë më shumë se sa opozita.

Ndërkohë Zheji shprehet se është më mirë një denoncim më shumë, qoftë dhe me ato gracka që ndodhin me informacionin e gabuar se sa një mbyllje goje.

Nazarko: Po shkoj tek nëna e shkaqeve, për mendimin tim, mungesa e rotacionit. Është konsoliduar në vendimmarrjen politike vetëm një parti. Çfarë ndodh, opozita e humb dinamizmin e vet, e humb shoqëria civile, media. Krijohen lidhje interesash të fuqishme të shtetit me biznesin. Krijohet një kënetë, një status quo për të cilën opozita mund të bëjë diçka por jo më shumë. Shoqëria civile mund të bëjë shumë më shumë.

Shqipëria ka pasur të fortë berishizmin, që ka pasur një funksion denoncues. Kjo përfshirje në vetë të parë të kryetarit të opozitës në stilin e berishizmit është antishtetërore. Nuk ka mundësi që kryetari i opozitës të ketë informacione në kohë reale për ngjarje të tilla. Ka ardhur kohë për një opozitë të stilit të ri. Opozitën e stilit berishist që Basha e ka bërë herë pas here duhet ta zëvendësojë një opozitë e stilit të ri. Opozitën e tipit të vjetër, Basha e ka provuar si jo të suksesshme.

Zheji: Informacioni, një shtet apo një qeveri e përgjegjshme duhet të jetë po aq denoncuese e krimit dhe nuk duhet ta fshehë kur ka mbaruar procesi hetimor. Qoftë Berisha, Basha kush denoncon krime shpeshherë qëllon se përfitues të atij krimit janë banda mik, miq, të korruptuar të pushtetit.

Më mirë një denoncim më shumë, se sa omerta, një mbyllje goje. Denoncimi është gjithmonë i vlefshëm, tjetër punë se mund të ndodhin ato gracka. Heshtja do ishte më vrastare. Ne nuk duhet t’i besojmë ato pllakatet. Ne jemi në këtë punë se mundohemi të shohim përtej fasadës. Këtu po fshihet një gjë. Këtu bandat janë sheshit.

Sigurisht që po të ishte Berisha do kishte më tepër presion, por do kishte shumë më tepër presin nëse nuk do kishte luftë brenda PD. Nuk mendoj që të shtiesh me 10 gryka që janë jashtë, është më vlefshme se një snajper. Opozita ka ministrin hije, drejtorin e policisë hije. Ka një grup politikanësh që kanë informacion, ka agjentë të fjetur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb