Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me banorët dhe përfaqësues të biznesit, në rajonin numër 2 në Fier.

Kryemadhi tha se gjatë pandemisë kanë falimentuar 9 mijë biznese, ndërsa shtoi se Rama është me oligarkët dhe jo me biznesin.

Monika Kryemadhi: Gjatë pandemisë, kanë falimentuar 9 mijë biznese. Dëmi i pandemisë ka qenë shumë i madh. Njerëzit janë në limite të mbijetesës. Rama miqtë e vet nuk i takson. Rama bën fasadë dhe propagandë, sidomos për biznesin. Njerëzit janë ata që vuajnë taksat e rënda.

Formalizimi i biznesit nuk bëhet me kamxhik, por bëhet me bashkëpunim. Rama është bifteku, oligarkët janë kripa e Nusretit. Ata marrin çdo gjë që duhet të ishin para të shqiptarëve. Zotëria ka shkurtuar vende pune. Po ikin të gjithë, por se kjo gjë nuk duhet të ndodhë. Një ekonomi që zhvillohet, do paguajë edhe taksa.

Fjala e kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi:

Kemi dy standarde, ndryshe për biznesin e madh dhe ndryshe për biznesin e vogël. Në fakt periudha e pandemisë i ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë bizneset në Shqipëri dhe unë ju falënderoj shumë që na hapët derën për të ardhur dhe për t’u njohur e diskutuar në lidhje me problematikat tuaja, edhe pse këto problematika janë pothuajse të njëjta kudo.

Ajo që ne kemi parë çdo ditë është që gjatë pandemisë vetëm në Shqipëri janë mbyllur 9 mijë biznese, ndërsa në Kosovë jo më shumë se 1300 të tilla. Në Maqedoni rreth 5 – 6 mijë biznese. Në të tre vendet flitet shqip, por këtu edhe pse biznesi ka qenë shumë më i konsoliduar, dëmi që i ka dhënë pandemia biznesit ka qenë jashtëzakonisht i madh.

Ajo që të bën përshtypje është fakti që ka rënë konsumi, dhe që të bjerë konsumi do të thotë që të mos funksionojë ekonomia, biznesi i vogël, ata që furnizojnë çdo ditë familjet shqiptare me ushqime. Do të thotë që ti je varfëruar, varfërohet familja. Bie konsumi dhe falimentojnë bizneset.

Ne në mëngjes ishim në lagjen ’29 nëntori’, ku u takuam me një zonjë e cila na tha se ajo ka pasur katër biznese, ishin të dy burrë e grua, tre tha që ka falimentuar, i ka mbyllur dhe vetëm me njërin nuk arrinte dot të paguante dritat, ujin e jo më për të shkolluar fëmijët apo për tu veshur.

Ashtu sikurse shumë njerëz kanë humbur vendet e tyre të punës.

Kryemadhi: Tani që po diskutonim ka thënë që nuk do ketë as ulje as ngritje taksash. Nuk ka ca të ngrejë më se ka falimentuar biznesi. Nuk ka çfarë biznesi të tatojë më për shkak se njerëzit janë në limitet e mbijetesës.

Mehmetaj:  Ka disa biznese që mund ti tatojë…

Kryemadhi: Jo jo ato miqtë e vetë nuk i taton ai. Ata përkundrazi ua bën taksën zero. Mua më bëri përshtypje se po e dëgjoja ndërkohë që po vinim këtu te ju, po shikoja që në lajme dhe në portale që ministria e financës thoshte kishim një sistem kënetë taksimi dhe tani po e bëjmë karabinatë. Apo kishte rritjen e të ardhurave. Fasada dhe propaganda për mua është bërë e neveritshme dhe gjykatësit më të mirë të kësaj fasade janë qytetarët shqiptarë dhe sidomos biznesi sepse sado të flasim ne në TV janë njerëzit ata të cilët e vuajnë në kurrizin e tyre. Dhe sot nëse shqiptarët janë më mirë se 4 vite më parë. Nëse paguajnë më shumë ose më pak taksa se 4 vite më parë. Nëse energjia është më e shtrenjtë. Nëse shqiptarët humbasin vitet e punës atëherë e kuptojnë shumë mirë që propaganda është një neveri për qytetarët. Sepse vetë zotëria këtu ka shkurtuar stafin në biznesin e tij për shkak të pamundësisë së pagesës. Është arroganca që njerëzit e qeverisë po krijojnë me qytetarët dhe biznesin. Një nga problemet më të mëdha që kemi ne sot është që bizneset sot edhe o vogël dhe i mesëm jo vetëm që  kanë taksa shumë më të larta por nuk e kanë shtetin partner në biznes përkundrazi e kanë armik. Janë në luftë me njëri tjetrin.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb