Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, anuloi një udhëtim në Paris si reagim ndaj komenteve “fyese” të ministrit të brendshëm francez kundër kryeministres italiane, Giorgia Meloni .

Në një intervistë me mediat italiane, Gérald Darmanin tha se Meloni “nuk ishte në gjendje të zgjidhte problemet e migracionit për të cilat u zgjodh” dhe e akuzoi atë se “gënjente” votuesit se do t’i jepte fund fluksit të njerëzve që kalonin Mesdheun në kërkim të strehimit në Evropë .

Tajani po përgatitej të fluturonte për në Paris për një takim me homologen e tij franceze, Catherine Colonna, që pjesërisht kishte për qëllim rivendosjen e marrëdhënieve të mira midis dy vendeve.

“Unë nuk do të shkoj në Paris për takimin e pritur me Colonna. Fyerjet e ministrit Darmanin ndaj qeverisë dhe Italisë janë të papranueshme. Kjo nuk është fryma në të cilën duhet të trajtohen sfidat e përbashkëta evropiane”, ka shkruar ai në Tëitter.

Italia dhe Franca kanë qenë shpesh në mosmarrëveshje për emigracionin, por marrëdhëniet u përkeqësuan pasi qeveria e djathtë e Melonit erdhi në pushtet në tetor. Në nëntor, Darmanin akuzoi qeverinë italiane se ishte “egoiste” pasi refuzoi të lejonte një anije shpëtimi me 230 njerëz të ankorohej në Itali, duke e detyruar atë të udhëtonte për në Francë. Meloni u përgjigj duke thënë se reagimi i Francës kishte qenë “agresiv”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: