TIRANE – Besimtarët katolikë e ortodoksë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e lindjes së Jezu Krishtit. Pas darkës familjare, besimtarët katolikë me qirinj në duar i janë drejtuar Katedrales së “Shën Palit”, ku kanë pritur mes lutjesh mbërritjen e mesnatës që shënon 25-dhjetorin e shenjtë për ta, lindjen e Birit të Zotit. Besimtarët shkëmbyen urime për më shumë paqe, lumturi dhe harmoni. Pas ndarjes nga jeta të Imzot Rrok Mirditës, mesha u drejtua nga Monsinjor George Frendo. Mesha u çel me lutje për shpirtin e imzot Rrok Mirditës, i cili u nda nga jeta më 7 dhjetor pas goditjes nga një hemoragji cerebrale.

Ndersa ne Kishen Ortodokse mesha u drejtua nga kryepeshkopi Janullatos. “Kërkojmë falje për mëkatet tona” është lutja kryesore e besimtarëve të krishterë që i drejtohen birit të Perëndisë. Atmosfera e Krishtlindjeve ka nisur që në fillim të muajit dhjetor, ku në datën 6, besimtarët e krishterë kanë vendosur nëpër shtëpitë e tyre pemën e krishtlindjeve me zbukurimet e saj.

Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishtefoto kisha (4)rët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia e ka zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Maria në Bethlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj, Jozefi, po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret. Ashtu siç është bërë tashmë traditë, krerët e besimeve fetare kanë uruar edhe këtë 25 dhjetor të gjithë shqiptarët.

NISHANI: T’UA LEHTËSOJMË VUAJTJET TË BRAKTISURVE
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” uroj të gjithë besimtarët e krishterë Krishtlindjet. Nishani përcolli urimin e tij për gjithë shqiptarët, ndërsa theksoi se duhet tu jepet shpresë dhe besim atyre që vuajnë.

“Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ndodheni! Me rastin e Ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’u shpreh të gjithëve urimet më të mira e më të përzemërta në këto çaste të lumtura! Në këtë ditë të bekuar, mendimi dhe lutjet tona shkojnë për njerëzit më me pak fat e në nevojë, të cilëve më shumë se kushdo u duhet ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore. Le të përpiqemi t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet të vetmuarve, të braktisurve, të pamundurve e të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim! Të dashur vëllezër dhe motra! Gëzuar dhe për shumë vjet Krishtlindjet dhe jua uroj sa më të paqta e të mbara e në shëndet e harmoni të plotë të shpirtrave, zemrave dhe trupave!”, citohet në mesazhin e tij.

META NË KATEDRALEN ORTODOKSE, URON KRISHTLINDJET

Nga Katedralja Ortodokse në Tiranë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta uroi të gjithë besimtarët për Krishtlindjen.

“Eshtë dashuria çelësi i përpjekjeve, sakrificave për një ndryshim që fillon nga vetja, familja dhe që shkon tek shoqëria. Një ndryshim për botën tonë të vogël dhe të madhe, në emër të dashurisë dhe respektit ndaj Zotit”- deklaroi Meta.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta vizitoi edhe kishën katolike për tu uruar të gjithë besimtarëve të krishterë festën e Krishtlindjeve. Meta pohoi para gazetarëve se “harmonia fetare, këto ndryshime e bëjnë vendin tonë, shoqërinë tonë më të drejtë, më solidare”.

BASHA NË KORÇË, URON KRISHTLINDJEN PËR TË GJITHË BESIMTARËT bashauron
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar sot të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes. Mesazhi i Basha u përcoll nga Metropolia e Korçës. Kryetari i Partisë Demokratike mori pjesë dhe në meshën hyjnore të Krishtlindjes mbajtur në Katedralen e Korçës.

“Në këtë ditë të mrekullueshme, në këtë ditë të bekuar të Zotit, ditë Krishtlindjesh, dua të uroj të gjithë besimtarët e krishterë : Gëzuar Krishtlindjen! Për shumë vjet gëzuar!

Do të uroj në veçanti shërbëtorët e Zotit, të gjitha kishat, katolike, ortodokse, ungjillore të vendit. Dhe një urim të veçantë kam për më të pamundurit, njerëzit në nevojë, për fëmijët në veçanti, se kjo ditë e bekuar e lindjes së shpresës të sjellë bashkë me shpresën edhe besimin se e nesërmja do të jetë më e mirë. Për shumë vjet gëzuar! Faleminderit!”

BERISHA: TË FESTOJMË KRISHTLINDJET PA KËTË QEVERI QË PO VJEDH ÇDO DITË
Ish-kryeministri Sali Berisha uroj të gjithë besimtarët shqiptarë për festën e Krishtlindjeve. Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook” Berisha tha se: “Gëzuar Krishtlindjen!
Miqve të mi të krishtere dhe besimtarëve të krishterë në mbarë vendin, nga zemra u uroj Gëzuar ditën e lindjes së Krishtit Mbret, hyijt dhe burrit që i dha njerëzimit vlerat morale të qytetërimit të sotëm perëndimor.
Uroj që gëzimi dhe magjia e kësaj feste të shoqëroje çdo besimtare të krishterë dhe çdo besimtar të Zotit, çdo ditë të vitit që vjen dhe Krishtlindjet e ardhshme ti festojmë ashtu siç meritojmë, me mirë e me besim e shpresë të madhe, të bashkuar më shumë se kurrë, pa këtë qeveri që po vjedh dhe varfëron çdo ditë shqiptarët! GEZUAR! Sb”.

URIMI I PDIU: KRISHTLINDJE TË BARDHA
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka uruar sot të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindjet. “Krishtlindje të Bardha! Qoftë kjo ditë e hareshme, një kujtesë për secilin se mirësia dhe dobia e përbashkët duhet të jetë lajtmotiv i jetës sonë!”, citohet në urimin e PDIU-së.

TOPI: KJO DITË E SHENJTË TË ÇOJË KUDO DASHURI E MIRËSI

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi ka uruar sot gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjeve. Në mesazhin e tij të urimit, ish-presidenti Topi tha se kjo është ditë e shenjtë, duhet të çojë kudo dashuri e mirësi.

“Krishtlindjet dita që i mbledh bashkë familjet për të festuar. Besimtareve katolike e ortodoksë festa e shenjtë ju sjelltë begati, hare, mbarësi dhe shëndet.”, tha Topi.

HISTORIA E KRISHTLINDJEVE
Ashtu sikurse shumë elementë të tjerë mitologjikë, të pranuar për të stolisur e pasuruar Krishtërimin bashkëkohor, ndër të cilët arkeologët, historianët dhe teologët përmendin veçanërisht mitet mitraiste, zoroastriane, egjiptiane dhe babilonase, edhe festimet e Krishtlindjeve i kanë rrënjët, siç sqaron “The World Book Encyclopedia”, në festimet e lashta të festës së Saturnit, apo “Saturnaleve”, nga ana e romakëve parakristianë.

Festime të ngjashme vihen re tek Mitraizmi, i cili i ka fillimet e veta qysh në shekullin VI p.e.s. në Persi dhe Indi. Uilliam Edelen, në artikullin e tij “Christian Mythology”, vëren se Mitra, gjithashtu, kishte lindur nga një virgjëreshë, në prani të barinjve. Shpëtimtari i madh dhe perëndia Mitra, i adhuruar në Indi dhe në Persi, njihej me cilësime si “rruga”, “e vërteta”, “jeta”, “drita”, “fjala”, “biri i Zotit” dhe “Bariu i Mirë”.

Ai përfytyrohej dhe paraqitej në arte vizuale me një qengj në krahë, ndërsa në besimin mitraist, njëlloj si në Krishtërimin bashkëkohor, dita e diel quhej “dita e Zotit”. Tek Mitraizmi, dita e 25 dhjetorit, e cila më vonë do t’i bashkangjitej traditës së Krishtlindjeve, përjetohej me festime madhështore, me këmbana, hymne, qirinj e shkëmbim dhuratash, ndërsa ndjekësit e këtij besimi merrnin pjesë në një meshë të posaçme.

Nga 25 dhjetori deri në ekuinoksin e pranverës (Estra apo Pashka), ekzistonte një 40 ditësh adhurimi e ritualesh që më vonë do të shndërrohej në kreshmën e krishterë. Edhe në Indinë e kohëve të lashta, 25 dhjetori pritej me festime të mëdha me karakter fetar. Shtëpitë zbukuroheshin me kurora lulesh e gjethesh, ndërsa njerëzit shkëmbenin dhurata e urime të shumta me njëri¬-tjetrin. Buda (Buddha) në Kinën e lashtë besohej të kishte lindur më 25 dhjetor, pas zbritjes së shpirtit të shenjtë mbi nënën e tij të virgjër, Maja. Më 25 dhjetor, egjiptianët e lashtë festonin lindjen e shpëtimtarit të tyre të madh, Horusit, zoti i dritës dhe biri i nënës virgjëreshë Isis, mbretëreshë e qiejve. Osirisi, perëndia i të vdekurve dhe i botës së nëndheshme në Egjiptin e lashtë, biri i një virgjëreshe të shenjtë, besohej të kishte lindur më 25 dhjetor.

Shumë kohë përpara konvertimit në Krishtërimin ortodoks, grekërit festonin 25 dhjetorin si ditën e lindjes së Herkulit, biri i zotit suprem të grekërve, Zeusit, të lindur përmes gruas së vdekshme, Alcmena. Bakusi romak, i njohur nga grekërit me emrin “Dionisi”, perëndi i verës dhe muzikës, besohej të kishte lindur, gjithashtu, më 25 dhjetor. Adonisi, një tjetër perëndi i ringjallur nga vdekja dhe i adhuruar nga grekërit e lashtë, kishte lindur mrekullisht më 25 dhjetor.

Adhuruesit e tij organizonin çdo vit festime madhështore, ku përkujtonin plot simbolika e rituale vdekjen dhe ringjalljen e tij. Ceremonitë e lindjes së Adonisit, sipas të dhënave historike dhe arkeologjike, janë zhvilluar në të njëjtin vend dhe në të njëjtën shpellë ku sot besohet të ketë lindur Jezusi biblik. Edhe skandinavët parakristianë festonin “Krishtlindjen” e tyre më 25 dhjetor. Për ta kjo ditë shënonte ditën e lindjes së zotit të tyre të qiejve, Frejrit (Freyr), biri i perëndisë së lartë të qiejve, Odinit.
(er.nu/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb