Yjet e futbollit është e vështirë t’i menaxhosh. Kur janë në moshë të vogël, kjo bëhet edhe më e ndërlikuar. Shqipëria i ka me pikatore ata që e meritojnë vlerësimin “yll”, por Broja e meriton të thuhet se është një yll në lindje.

Të paktën me atë që ka treguar deri tani… Por, a është menaxhuar si duhet sulmuesi i Southampton, i cili është në pronësi të Chelsea? Pse nuk luan titullar kur ai shënon sa herë hyn në fushë?

A i ka bërë gjërat si duhet Edy Reja në raport me këtë lojtar? Ka shumë pikëpyetje, por sipas Panorama Sport”, ka njw prapaskenw rreth raportit të vështirë të sulmuesit të talentuar me trajnerin.

TENSIONI PAS POLONISË…

Edy Reja vendosi ta dërgonte në tribunë sulmuesin në ndeshjen kundër Polonisë, të cilën Shqipëria e humbi me rezultatin 4-1. Broja nuk e kapërdiu dot këtë, por më keq akoma e përjetuan prindërit e tij.

Burime pranë Kombëtares bëjnë me dije për gazetën se menjëherë pasi skuadra ka mbërritur në Shqipëri një ditë më pas, prindërit e Brojës kanë shkuar në kompleksin ku ishte akomoduar ekipi dhe i kanë kërkuar të largohet nga grumbullimi.

Të revoltuar dhe me tone të larta ata më pas kanë pasur një bisedë edhe me trajnerin Reja. Ky i fundit i ka ftuar të ulen në tavolinë me të dhe ta dëgjojnë njëherë.

“Armando Broja është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ka potencial të madh dhe është edhe një djalë i mirë. Me cilësitë që ka, ai është i destinuar të bëjë një udhëtim të gjatë e të suksesshëm në karrierë.

Më besoni, unë i njoh lojtarët me të ardhme. Por, po ju them gjithashtu se nëse nuk e bën këtë udhëtim, atëherë do të jetë faji juaj. Po, po, faji juaj. Duhet të hiqni dorë nga kjo mënyrë të sjelli se po e dëmtoni atë”, mësohet t’u ketë thënë Reja familjarëve të Brojës. Pas kësaj, situata është qetësuar dhe Broja ka vazhduar të qëndrojë në Kombëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb