TIRANË- 10-vjeçari i sëmurë me trombozë në mëlçi, Kristi Maze niset privatisht drejt Italisë për kurim, pas sigurimit të shumës së garancisë falë kontributit të qindra qytetarëve. Deri tani shuma e parave të grumbulluara ka arritur rreth 70 000 euro. Kristi është çuar në aeroport nga gazetari Erjon Skëndaj dhe do të ndiqet privatisht në spital në Bergamo, pasi shteti nuk mundi ta ndihmojë.

Ndërkohë që prindërit e tij do të strehohen nga një qytetare shqiptare në Itali. Valentina Agalliu ka garantuar strehimin e prindërve të Kristit në shtëpinë e saj në Bergamo.

Qytetarë shqiptarë, nga Shqipëria dhe shumë prej atyre që jetojnë vende të botës kanë depozituar para në llogaritë bankare të hapura për shërimin e Kristit dhe të tjerë kanë kontribuuar në kutinë e solidaritetit, që News24 ka ekspozuar në vende të ndryshme publike. Babai i Kristit ka falenderuar të gjithë ata që kontribuuan. Tashmë pritet që vogëlushi t’i bëhet transplanti i mëlçisë.

Ndërkohë që sot në Teatrin Kombëtar, aktori Gent Hazizaj do të ketë shfaqje bamirësie dhe të gjitha të ardhurat do të shkojnë për 10-vjeçarin e sëmurë.

Dje dhuruan para punonjësit e stafit të PNUD në Tiranë, ndërkohë që iniciativa u mbështet nga zyrat e OKB në Shqipëri, si UNICEF, UNHCR, UNWOMAN, UNFPA dhe IOM. Familja e vogëlushit, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare dhe News24 falenderojnë gjithë qytetarët dhe bizneset qe kane kontribuuar në të holla për shpëtimin e Kristit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: