Kreu i PD, Lulzim Basha ka folur në emisionin ‘’Kjo Javë’’ të Nisida Tufës në News24 për pjesën në librin e tij ku flet për listat dhe për kritikat që ka marrë për kandidatët që ka vendosur në listat e 25 prillit.

Basha thotë se procesi që ndodhi herën e fundit në PD ishte i hapur dhe unik në Ballkan. Sipas tij, PD ka resurse për të bërë jo 1 apo 2 por disa lista kandidatësh për deputetë.

Ai garanton se kësaj here listat e PD janë bërë me parimin kryesor të udhëhequr nga vlerat e kandidatëve.

 

 

Pyetja: Për ta kaluar pjesën e reflektimit, këtu ju keni perceptuar ato kritikat që ju keni marrë në politikë, siç është edhe hartimi i listave, për shembull, dhe ju thoni se përse nuk përfshiva në listë dikë apo dikë tjetër dhe tani ne shtrojmë pyetjen: Po të rinjtë ku do ta kenë hapësirën? Kush do ti përfshijë? Listat kanë qenë pjesë e fortë Zoti Basha, sidomos ato të kaluarat, për kritika pikërisht për këtë pjesë që unë po përshkruaj. Po listat që janë hartuar tani si i keni?

 

Lulzim Basha: Është një proces unik i ndodhur për herë të parë në Shqipëri dhe në Ballkan i cili ka përfshirë të gjithë anterinë e Partisë Demokratike, ka përfshirë një konsultë që ka zgjatur me muaj, ka përfshirë një proces seleksionimi dhe mbi të gjitha ka qenë një proces i hapur jo i mbyllur. Pa diskutim Partia Demokratike posedon mijëra resurse njerëzore për të hartuar jo një, as dy por shumë lista kandidatësh për deputet, por ajo që është e rëndësishme është që besnik ndaj asaj që kam deklaruar kriteri kryesor apo le të themi parimi kryesor që ka udhëhequr këtë proces kanë qenë vlerat. Pra, të shikuarit e Partisë Demokratike ashtu siç lindi në ditët e saj të para si një zëdhënës, si një përfaqësuese e interesit qytetar jo si një operacion në vetvete për përfitimin e vet politik por si një zëdhënëse, si një përfaqësuese, si një përçuese e shpresës së shqiptarëve për ndryshim.

 

Pyetja: Zoti Basha të mbetemi pak te kjo linjë dhe për ta hequr këtë  pjesën e kritikave. Ju përshkruani se dikush mund t’ju ketë cilësuar edhe si aksioner në minorancë e partisë tuaj, jo vetëm vetëm por edhe në praninë e të tjerëve, sa ju ka goditur? Sa ju ka dëmtuar kjo? Si e perceptoni?

Lulzim Basha: Shiko unë mendoj se një nga pikat më të forta të miat është konsultimi me bashkëpunëtorët e mi, rrahja e mendimit dhe padiskutim ky ka qenë edhe një nga kyçet e sukseseve me të cilat është shënuar një pjesë e rrugëtimit tim politik. Ka qenë aftësia e profesionistëve që më kanë rrethuar, natyrisht edhe e ekspertëve të huaj që bëri të mundur që në një kohe rekord, në më pak se dy vite, ne të ndërtonim një vepër të tillë të madhe si rruga e kombit. Ka qenë përkushtimi i njerëzve me të cilët kam punuar që ka bërë të mundur ëndrrën e anëtarësimit në NATO, apo heqjen e vizave. Dhe pa diskutim edhe në sfidat opozitare është shpirti i kolegjialitetit, i diskutimit të hapur, që unë e konsideroj së pari një veti timen, një karakteristikë timen që ma bën më të lehtë përballjen me sfidat që opozitarizmi në përgjithësi dhe në veçanti opozitarizmi i këtyre viteve në Shqipëri, por po kështu e shikoj edhe si një aset për të ndërtuar kulturën e kolegjialitetit, e vendimmarrjeve të hapura të përbashkëta. Dhe ajo që dua të garantoj Shqiptarët është që fryma e kolegjialitetit, e transparencës dhe jo arroganca apo sundimi i njëshit do të karakterizojë edhe qeverisjen time të nesërme. Mendoj që një  nga arsyet kryesore pse jemi katandisur këtu ka qenë arroganca e njëshit, ka qenë shpërfillja e mendimit të të tjerëve, e mendimit ndryshe dhe mbi të gjitha ka qenë shkatërrimi i mekanizmit të institucioneve, të vendimmarrjeve institucionale, të sundimit të ligjit, mbisundimin e njëshit. Dhe me mua demokracia është e garantuar, kolegjialiteti, fryma e transparencës e diskutimit të hapur është e garantuar, ky është mesazhi që jap përmes atij kapitulli që ju referuat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb