TIRANE– Pas kritikave të dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi drejtuar kryetarit të PD-së Lulzim Basha, vjen reagimi i këtij të fundit. Në një intervistë për ‘Studio e hapur’ në “News24” Basha komentoi kritikat për faktin se nga PD duhet të kishte denoncuar vjedhja e votës, ndërsa shtoi se dokumentimi i këtyre rasteve është më i vështirë se plagët e aktivistëve të PD.

“Procesi i dokumentit të vjedhjes së zgjedhjeve është më e vështirë sesa plagët e aktivistëve të PD. Shitblerja e votës për paradoks është një proces i fshehtë, ndodh brenda shtëpive të qytetarëve. Ne kemi kriminalizuar shitblerjen e votës. Kush ble votën do shkoj në burg, dhe kush shet votën do shkojë në burg. Kjo e fundit frenon qytetarin. Ne nuk e kemi dokumentuar shit-blerjen e votës. PS është sistemi dhe nuk do bëjmë përpara. Ne kemi ushtri të tëra banditësh, kriminelësh, dhe të rinj që përdoren nga këta gangsterët që ai që ka marrë thesin e miellit do votoje për atë, ose do rrijë në shtëpi”, tha Basha.

Ndërkohë, pyetjes nga rrjetet sociale për fatin se Malltezit i ishte premtuar se do të ishte pjesë e grupit parlamentar, Basha iu përgjigj: “Mos të mëremi me këto gjëra. Nuk denjoj të futem në këto komente. Cështje që Malltezi ka ngritur në Kryesi janë çështje teknike dhe s’dua të futem në këto lloj arishverishe”.

Pak ditë më parë Jamarbër Malltezi deklaroi në mbledhjen e krysisë se demokratët janë të demotivuar dhe se duhej të ngrihej zëri dhe të denoncohej vjedhja e votës. “Duhej të ngrinim zërin dhe denonconim vjedhjen e votës. Demokratet janë të demotivuar. Nuk dokumentuam asgjë”, ka thënë Malltezi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: