Orjola Pampuri, ish-deputetja e PD-së, një prej figurave mjaft aktive brenda opozitës, është ndër më të kuotuarat në Tiranë nga anëtarësia e partisë si kandidate për deputete në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ajo e sheh si një vlerësim dhe kënaqësi që zonjat kanë një zë të rëndësishëm në Partinë Demokratike. Orjola Pampuri thotë për “Gazeta Shqiptare” se në PD nuk ka “luftë” brenda llojit, pasi sipas saj, beteja është me “kundërshtarin politik dhe nuk mund të kesh luksin që të krijosh luftë brenda llojit në PD”. Sepse në gjykimin e Pampurit, “nuk mund të fitohet duke sulmuar apo luftuar njëra-tjetrën brenda llojit, por duke e mbështetur fort”. Përgjatë kësaj interviste, ish- deputetja demokrate flet për mundësitë e rikthimit në PD të të larguarve, pa përjashtuar edhe figura si Jozefina Topalli apo Majlinda Bregu. “Politikës do t’i mungonte çdo grua me moral, integritet dhe me një model përfaqësimi të përkryer. Çdo grua e tillë e cila është, ka qenë e do të jetë pjesë e politikës, sigurisht që do të lërë gjurmë. Por mendoj që partitë politike kanë e do të kenë gjithnjë qarkullim elitash, e kur këto kanë potenciale, duhet të mbështeten e të mirëpriten. Gërshetimi i të resë me të vjetrën gjithnjë krijon harmoni dhe rrit besimin te qytetarët”, – shprehet anëtarja e kryesisë së PD-së.

Zj.Pampuri, gjatë këtij muaji demokratët do të vijojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, finalizimin e programit qeverisës dhe përgatitjes së strukturave për zgjedhjet. Ku jeni e angazhuar konkretisht?

 

Prej korrikut Partia Demokratike ka nisur një proces të rëndësishëm, atë të propozimit të kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie nga anëtarësia. Kjo është një risi, të cilën e implementon për herë të parë Partia Demokratike në Shqipëri. Gjatë kësaj faze kam punuar në Shijak, Fushë-Krujë dhe Krujë. Muaji gusht është muaji ku ky proces ka hyrë në një fazë tjetër të rëndësishme, atë të përzgjedhjes së kandidaturave nga komisioni, i cili është i përbërë nga figura me kontribut e bashkëthemelues të Partisë Demokratike, si dhe përfaqësues të botës akademike, figura me integritet të lartë në fushat e tyre. Ky është një proces që u mirëprit nga anëtarësia, duke u dhënë atyre potencialin për të propozuar të preferuarit e tyre, pra ata me të cilët do të donin të ishin të përfaqësuar.

Bashkë me Jorida Tabakun dhe Grida Dumën ju jeni ndër më të kuotuarat në Tiranë si të propozuara nga anëtarësia e PD-së. A ka “luftë” brenda llojit në PD?

Për mua është vlerësim të jem ndër më të kuotuarat bashkë me dy koleget e mia dhe rrjedhimisht ndjej kënaqësi që zonjat kanë një zë të rëndësishëm në Partinë Demokratike. Beteja jonë është me kundërshtarin politik, misioni ynë është të justifikojmë dhe të vlerësojmë besimin që anëtarësia, demokratët na japin me mbështetjen e tyre dhe për të arritur të gjithë këtë, sigurisht që duhet punë dhe kjo përfshin punë në terren, në media, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim që bëhet në kurriz të qytetarëve e për të bërë të gjithë këtë, sigurisht nuk mund të kesh luksin të krijosh luftë brenda llojit. Zonjat që përfshihen në politikë përballen me shumë sfida, duke nisur që nga fakti që vit pas viti, dekadë pas dekade kanë luftuar fort për të pasur të drejtat, rolin dhe pozicionin e tyre të rëndësishëm në jetën politike dhe lufta mes tyre nuk ndihmon aspak në këtë “betejë” për të fituar gjithnjë e më shumë terren e për të arritur barazi me burrat në politikë dhe kjo jo vetëm në numër, por edhe në cilësi, aftësi dhe pozicionim politik, ndaj e gjithë kjo “betejë” nuk mund të fitohet duke sulmuar apo luftuar njëra-tjetrën brenda llojit, por duke e mbështetur fort.

A është e vështirë të bësh karriere në Partinë Demokratike?

Partinë Demokratike e kam parë gjithnjë si tempullin e fjalës së lirë, si mishërim të shpresës dhe të lirisë, dhe ashtu është në fakt. Në një vend ku punohet si një skuadër, ku puna e secilit motivohet e mbështetet nga lideri, ku të gjithë bashkë kemi një zë, një mision, por pa përjashtuar këtu edhe mbështetjen ndaj mendimeve ndryshe, të cilat e karakterizojnë një forcë politike të djathtë. Por, që historia ka treguar që në beteja të rëndësishme e të mëdha, kur bëhet fjalë për fatet e popullit, ata dinë të jenë të gjithë bashkë. Ndaj për mua ka qenë gjithnjë kënaqësi të mbështes këtë forcë politike e tani të jem pjesë e saj.

Në gjykimin tuaj, a i mungojnë PD-së zonjat si Jozefina Topalli apo Majlinda Bregu…?

Kontributi i zonjave në politikë është i vyer, ashtu sikurse edhe figura politike që ato ndërtojnë është e rëndësishme dhe kur ndërtohen figura të forta e me integritet, sigurisht që lënë gjurmë të rëndësishme kudo, jo vetëm në politikë. Politikës do t’i mungonte çdo grua me moral, integritet dhe me një model përfaqësimi të përkryer. Çdo grua e tillë e cila është, ka qenë e do të jetë pjesë e politikës, sigurisht që do të lërë gjurmë. Por mendoj që partitë politike kanë e do të kenë gjithnjë qarkullim elitash e kur këto kanë potenciale, duhet të mbështeten e të mirëpriten. Gërshetimi i të resë me të vjetrën gjithnjë krijon harmoni dhe rrit besimin te qytetarët.

Dy kritikët kryesore të Lulzim Bashës në vitin 2017, Besnik Mustafaj dhe Genc Ruli, janë pjesë e ekipit që do të vlerësojë kandidaturat e PD-së për zgjedhjet parlamentare dhe vendore. Një shenjë pjekurie e PD-së, siç tha Ruli, apo një politikë hapjeje e PD-së që duhet të vijojë edhe më tej…?

Pak më lart theksova që Partia Demokratike është parti e vlerave dhe brenda saj ka dhe ka pasur edhe zëra ndryshe e që historia ka treguar që këto zëra kanë qenë pranë saj në momente të rëndësishme, siç është dehe rasti i z. Genc Ruli dhe z. Besnik Mustafaj, dy figura të rëndësishme të kësaj partie dhe unë do të citoja z. Ruli, pra një shenjë pjekurie, e mendimit dhe perceptimit për vijimësinë e situatës politike, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për bashkim të të gjitha demokratëve dhe figurave të rëndësishme brenda kësaj partie, ata të cilët e duan këtë parti, e duan këtë vend, duan të mirën e qytetarëve të këtij vendi, s’duhet të mendojnë gjë tjetër veç bashkimit e mbështetjes.

Si e shikoni kthesën e Genc Rulit apo Besnik Mustafajt për të hedhur pas të shkuarën, me qëllim bashkimin e fuqive të demokratëve kundër një qeverie tashmë të konsumuar nga pushteti?

 

Një veprim i pjekur prej politikanësh, të cilët përtej një pakënaqësie, vendosin prioritet fatin e qytetarëve të këtij vendi dhe mbështetja e bashkimi në një fazë të tillë nuk tregon gjë tjetër veçse diçka të tillë.

A duhet t’i bashkohen këtij angazhimi edhe figura të tjera si Topalli, Bode, Bregu, Imami, Patozi etj.?

E kam theksuar edhe në prononcime të tjera, të gjitha këto figura janë pjesë e historisë së Partisë Demokratike. Janë pikërisht këto figura e shumë të tjera për të cilat unë, familja ime kemi brohoritur, i kemi votuar, i kemi mbështetur ndër vite. Janë pikërisht këto figura, që kanë kontribut në këtë parti dhe pa diskutim që nuk kanë se si të veprojnë e mendojnë ndryshe, përveçse ta përkrahin partinë në të cilën u rritën politikisht. Disa prej tyre u njohën publikisht e u mbështetën masivisht. Unë besoj që integriteti i secilit prej tyre nuk do të mund t’ua lejonte të vepronin ndryshe.

Si mund të bëhet identifikimi dhe përzgjedhja e ekipit më të mirë për të fituar zgjedhjet parlamentare dhe formuar qeverinë e re?

Ende nuk jemi në këtë fazë, por jam e sigurt që mes nesh ka kapacitete, figura me formim dhe integritet të lartë, kompetentë në fushat e tyre, të cilët kanë aftësinë të marrin përsipër detyra të rëndësishme dhe t’i justifikojnë më së miri ato.

Ju vini nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë. Mendoni se duhet një “veting” për dosjet e Sigurimit edhe brenda PD-së, në mënyrë që në parlament të mos ketë figura të implikuara me sistemin?

Procesi i përzgjedhjes së të propozuarve nga anëtarësia në një nga kushtet e përzgjedhjes ka pikërisht këtë, pra kandidatët duhet të mos jenë figura që kanë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit.

Ndryshimet e njëanshme kushtetuese, a i dëmtojnë demokratët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Ndryshimet e njëanshme kushtetuese dhe çdo tentativë tjetër e Edi Ramës nuk mund të ndalë ndryshimin e madh që do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme, por ndryshimet e njëanshme kushtetuese kanë dëmtuar rëndë Kushtetutën e vendit dhe ne të gjithë e dimë që Kushtetuta është shtylla kryesore mbi të cilën qëndron një vend dhe të cenosh atë është si të duash të shkatërrosh themelit e një shteti dhe Edi Rama këtë bëri, pasi përvetësoi çdo pushtet, shkeli edhe mbi Kushtetutë. Kjo tregon qartësisht fundin e pashmangshëm të tij, të cilin edhe ai vetë e di shumë mirë, ndaj dhe veprime të tilla janë të shpjegueshme tashmë.

Sa mandate synon PD-ja të marrë në zgjedhjet e ardhshme?

Partia Demokratike, opozita e bashkuar, do të jenë fituese në zgjedhjet e ardhshme përsa i përket mandateve. Vullneti i qytetarëve përllogaritet në bazë të rezultateve post-zgjedhore. Ajo që mund të themi është që qytetarët kanë humbur totalisht besimin te kjo qeveri. Janë rrënuar ekonomikisht në këto 7 vite, janë më të varfër e të papunë, janë më të pashpresë, ndaj programi i Partisë Demokratike premton taksa më të ulëta, taksën e sheshtë 9%, duke siguruar kështu më shumë besim dhe mundësi për biznesin e vogël, të mesëm e të madh, duke nxitur më shumë vende pune apo të vetëpunësuar, duke rritur besimin dhe sigurinë për investitorët e huaj, të cilët u larguan masivisht në këto 7 vite, rritje të pagave e pensioneve, kjo bën që qytetarët të zgjedhin pikërisht atë forcë politike që i siguron mirëqenie, siguri e mbështetje dhe kjo është vetëm një pjesë e programit të Partisë Demokratike, ndaj dhe besojmë që duke u njohur me këtë e me pika të tjera të këtij programi, qytetarët do dinë të zgjedhin më të mirën për ta.

Sipas jush, ku duhet të ndryshojë qeveria e re e PD-së nga ajo e PS-së?

Qeveria e opozitës së bashkuar prioritet do të ketë qytetarët, duke punuar për qytetarët, që është ndryshimi thelbësor me qeverinë e PS-së, e cila punoi me dhe për oligarkët me tendera, PPP, e koncesione abuzive. Qeveria e opozitës së bashkuar do të ketë prioritet nevojat e qytetarëve, ndryshe nga ajo e PS-së, që kishte prioritet nevojat e kryeministrit dhe miqve të tij. Ashtu sikurse në 8 vitet e shkuara të qeverisjes së Partisë Demokratike, ku përveç rritjes së pagave e pensioneve, mund të kujtojmë ngjarje e vepra të mëdha si Rruga e Kombit, rrugët kryesore dhe kapilare të bregdetit të jugut, tuneli i Elbasanit, lëvizja e lirë e qytetarëve në Europë, hyrja në NATO, etj., përballë një qeverie të PS-së, e cila në 7 vite nuk arriti të hapte negociatat për integrimin e vendit në BE e nuk shtroi asnjë rrugë të rëndësishme. Këto janë indikatorë të rëndësishëm që një popull të kuptojë e të dijë të ndajë të mirën nga e keqja.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, është shprehur se në muajin shtator do të nisë de-facto edhe fushata për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit. A ekziston frika në PD-së se Edi Rama mund të fitojë edhe një mandat të tretë qeverisës?

Sondazhe të shumta janë bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, madje edhe nga portale shumë pranë qeverisë, por s’kanë mundur të bëjnë asgjë për të kënaqur qoftë edhe virtualisht me rezultate Edi Ramën, duke e nxjerrë humbës. Kemi bërë gjatë gjithë këtyre muajve takime të shumta në terren, ku jemi përballur me pakënaqësi të qytetarëve ndaj qeverisë, madje edhe nga qytetarë të majtë dhe ky është një tregues i rëndësishëm. Gjithsesi, në Partinë Demokratike nuk flitet për asnjë çast që Edi Rama mund të marrë një mandat të tretë, por kjo nuk na bën për asnjë çast të ndalim punën në terren, takime me grupe të ndryshme përfaqësuese e qytetarë në terren, gjë e cila do të rinisë në shtator, për t’u finalizuar me fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. /GSH.al/ 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb