TIRANE- Tensione dhe përplasje mes LSI dhe PS. Kësaj here ka qenë ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, e cila ka reaguar ndaj deputetes së LSI-së, Monika Kryemadhi. ‘Molla e sherrit’ është bërë Matura Shtetërore, ndërsa Nilloka i është kundërpërgjigjur në ‘Facebook’ qëndrimit të Kryemadhit, duke shtuar se ishte habitur nga deklarata e kësaj të fundit.

Nga ana tjetër, Nikolla i ka kujtuar dhe kontributin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës, bashkëshortit të Kryemadhit, në procesin e hartimit të praktikës së re të Maturës Shtetërore. Nikolla ‘sulmoi’ Kryemadhin, duke shtuar se gjithçka bëhet për disa vota më shumë.

Ditën e sotme, Monika Kryemadhi, kërkoi publikisht të mos përsëriten gabimet e vitit të kaluar me Maturën Shtetërore. Kryemadhi nënvizoi rëndësinë që ka matura shtetërore për gjimnazistët pasi gabimet në procesin e Maturës Shtetërore cenojnë të ardhmen e të rinjve.

REAGIMI I NIKOLLËS
E dashur Monika,
Dëgjova me habi prononcimin tënd kundër praktikës së re të Maturës Shtetërore!
E mirëkuptoj klimën e vigjiljes së fushatës, ashtu siç mirëkuptoj çdo kritikë, edhe nga ti vetë, pavarësisht se jemi shpjeguar jo një herë sy më sy për Maturën Shtetërore. Praktika e re e Maturës Shtetërore që krijoi kushte krejt të reja konkurrueshmërie dhe transparence, është fryt i një pune të madhe e të përbashkët. Siç ti e di fare mirë ka qenë një proces gjithëpërfshirës, ku janë dëgjuar me shumë respekt edhe vërejtjet e grupeve parlamentare, përfshirë dhe LSI-në. Jo vetëm kaq, po vetë Kryetari i Kuvendit ka ndihmuar personalisht për zhvillimin e një debati të brendshëm shumë konstruktiv mes përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve të partive të koalicionit.
Asgjë nuk është perfekte dhe gjithshka është e përmirësueshme, padyshim edhe kjo praktikë e re dhe e suksesshme. Por të lutem sinqerisht, të mos cënojmë arritjet tona të padiskutueshme për disa vota më shumë në 18 qershor. Sepse votat kanë rëndësi për partitë, por mostrazimi i nxënësve që po përgatiten për Maturën Shtetërore të këtij viti dhe i prindërve të tyre, ka rëndësi për të gjithë ne, pavarësisht partive.
Miqësisht,
Lindita
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: