Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka caktuar një mbledhje në Bruksel më 25 tetor, për shqyrtimin e krizës së emigrantëve në pjesën perëndimore të Ballkanit. Zyra e zotit Juncker ka njoftuar sot se në këtë takim do të marrin pjesë zyrtarët e Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Gjermanisë, Greqisë, Hungarisë, Rumanisë, Sllovenisë, Maqedonisë dhe Serbisë.

Ky takim po mbahet teksa dhjetëra mijëra emigrantë, që po synojnë të arrijnë në Evropën Perëndimore, janë të bllokuar në rrugët e Ballkanit Perëndimor, pasi Hungaria mbylli kufirin e saj me Serbinë dhe Kroacinë.

Kjo lëvizje e Hungarisë i ka shtyrë emigrantët, shumica prej tyre duke ikur nga konfliktet në Siri, Afganistan dhe Irak, që të ndryshojnë rrugën dhe të kalojnë nëpër Kroaci e Slloveni.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb