1 pikë në 6 ndeshje! Mjafton kaq për të kuptuar sesa alarmante është situata te Flamurtari. Klubi kuqezi, që vitet e fundit e ka nisur sezonin me blerje të bujshme për ta mbyllur atë mes 1001 halleve, këtë sezon duket se ka trashëguar vetëm telashet, pasi lojërat nuk po duken gjëkundi. Humbja e fundit e pësuar në Ballsh me goleadën 5-0 të shkaktuar nga Bylisi në javën e 6-të të kampionatit, ka tërbuar administratorin Sinan Idrizi, që ka shpërthyer përpara skuadrës duke kërkuar llogari për atë paraqitje shumë të dobët.

Në qendër të kritikave ka qenë mbrojtësi grek Jorgos Sarris, ndërsa nuk ka shpëtuar as trajneri Sadedini, pasi Idrizit nuk i ka pëlyqer aspak rreshtimi me 3 mbrojtës, duke pretenduar se më një skemë të tillë mund të luajnë vetëm ekipet e mëdha dhe ka kërkuar që të mos bëhen më eksperimente me lojën e Flamurtarit.

Administratori i klubit vlonjat, ndonëse ka pranuar edhe përgjegjësitë e tij për situatën, ka kërcënuar se paraqitje të tilla nuk do të ndëshkohen më me gjoba dhe se koha e ultimatumeve ka përfunduar. Ndeshje të këtij niveli do të sjellin përjashtime nga skuadra, ndërsa Idrizi shpreson që kthesa të vijë që në ndeshjen e radhës ndaj Tiranës.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb