Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, tha të dielën se amerikanët që kanë të ardhura financiare vjetore prej 60 mijë dollarësh do të marrin një pagesë shtesë stimulese si pjesë e paketës së ndihmës prej 1.9 trilionë dollarësh propozuar nga Shtëpia e Bardhë.

“Detajet e sakta janë në përpunim e sipër, por familjet e klasës së mesme që po përballen me situatën kanë nevojë për ndihmë”, tha zonja Yellen për kanalin televiziv CNN.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është e hapur për negociata se kush duhet të ketë të drejtë të marrë shumën prej 1,400 dollarësh, ndërsa nuk ka pranuar të japë detaje mbi kufizimet për të ardhurat.

“Presidenti Biden është i gatshëm të punojë me anëtarët e Kongresit për të përcaktuar se çfarë është e drejtë, dhe ai nuk do të dëshironte që një familje që bën mbi 300 mijë dollarë të përfitojë nga pagesat në fjalë”, tha zonja Yellen pa ofruar detaje të mëtejshme.

Nëse Kongresi miratonin planin prej 1.9 trilionë dollarësh, vendi do të kthehet tek ulja e ndjeshme e papunësisë vitin që vjen, tha zonja Yellen. Në të kundërt, tha ajo, papunësia do të zgjasë disa vite.

Ligjvënësit republikanë janë kundër planit masiv të administratës për lehtësimin e gjendjes së krijuar nga pandemia, mes shqetësimeve se shuma e madhe e parave do të rriste në mënyrë të nevojshme borxhin kombëtar, pas ndihmës prej 4 trilionë dollarësh të miratuar nga Kongresi vitin e shkuar.

Duke folur në programin “This Week” të kanalit televiziv ABC, senatori republikan Roger Wicker tha se mendonte se partia e tij do të ishte e gatshme të mbështeste një plan që kap shumën mes 600 dhe 700 miliardë dollarëve.

Zoti Biden ka thënë se do të dëshironte që plani i tij të gëzonte mbështetje dypartiake, por republikanët ishin shumë larg synimit të presidentit. Zoti Biden ka thënë se demokratët do ta miratonin të vetëm paketën nëse do të ishte e nevojshme. Presidenti Biden, zonja Yellen dhe zyrtarë të tjerë të administratës kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se rreziku ndaj ekonomisë do të ishte nëse paketa e stimulit ekonomik do të ishte shumë e vogël dhe jo shumë e madhe.

Javën e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati miratuan një plan buxhetor që do të mundësonte që projektligji për lehtësimin e situatës të mund të marrë miratimin e Senatit me një shumicë të thjeshtë prej 51 votash.

Sipas rregullave normale, miratimi nga Senati kërkon 60 vota. Senati është i ndarë 50-50, me votën e Nënpresidentes Kamala Harris që ndryshon balancën në favor të demokratëve.

E pyetur lidhur me rrezikun për stimulim të tepër të ekonomisë dhe nxitje inflacionit, zonja Yellen tha: “Kemi mjete të mira për ta trajtuar atë rrezik nëse materializohet”./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb