Kriza energjetike, që ka mbërthyer mbarë botën, dhe që ka prekur tashmë edhe Shqipërinë, është bërë temë diskutimi në emisionin e sotëm “Pikat mbi i”, në News24.

Analisti Artur Zheji dhe eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, komentuan daljen e kryeministrit Edi Rama, ku paralajmëroi ardhjen e krizës në vendin tonë.

Si për Zhejin, ashtu edhe për Malajn, kjo ishte një sjellje e gabuar e kryeministrit për të krijuar panik te qytetarët dhe për të krijuar idenë se vetëm ai i zgjidh krizat.

Pjesë nga diskutimet:
Zheji: Është një pakuptueshmëri e madhe konceptuale te shqiptarët, të cilëve kryeministri iu tha një ditë të bukur pas pushimeve se një tmerr i madh po na pret, ndërkohë që plagët e tërmetit nuk janë mbyllur dhe pandemia është ende ekzistente. Ai e tha këtë duke parë kamerat në sy, sepse është një aktrues shumë i mirë. Po të shohësh indeksin e shikueshmërisë dhe vëmendjes së shqiptarëve, duket sikur Rama bëri blofin e radhës, sikur ai do të ketë një super-ngjarje, që ta shndërrojë atë në një super-trendi, pasi mandati i tretë nisi si i mërzitshëm. Dilema është nëse mund të shpëtojmë, apo do na kapë vala.

Malaj: Të jesh publik duhet të mendosh për trashëgiminë që do të lësh. Të lësh servilë, kjo nuk përputhet me personalitetin tim, por as me familjen time. Ne mund të themi që kemi një mjerim të qeverisjes së vendit. Historia tregon se liderët me pushtet absolut, shkëputen nga realiteti. Ka një shkëputje nga realiteti. Unë habitem se nuk po shoh aktorë të tjerë të ndihmojnë Ramën. Ky i fundit thotë se ka marrë mandatin e tretë dhe e ka të sigurt edhe të katërtin, por në gjysmën e dytë të mandatit të dytë nuk ka qeverisur. Nuk ka një lidership në asnjë rast, që të dalë kryeministri e të thotë se na ka ardhur lufta te dera e s’kemi çfarë t’i bëjmë. Jo! Lufta luftohet me optimizëm, jo të dalë kryeministri të zërë gjithë ekranin. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë presion. Mua më shqetëson thelbi i keqqeverisjes, duke vënë në qendër vetveten. Rama mendon se çdo krizë e zgjidh ai.

Zheji: Është një dukuri tepër acaruese, por kështu është, nuk është as faji i Ramës, as merita e Ramës. Sa herë ka traumë shtetërore ekonomike, gjeopolitike, opinioni publik shndërrohet në turmë dhe instinktet e turmës fillojnë e komandojnë atë dhe kërkon me sy çobanin, që është kryeministri. Sa më shokante të jepet gravaticiteti, pashmangshmëria, e një drame që na godet, aq më shumë njerëzit shndërrohen nga ankthi, nga individë që mendojnë, në një turmë që shtrëngohet te njëra-tjetra për të gjetur zgjidhje. Ky është proces.

Malaj: Ky është model lidershipi.

Zheji: Nëse një vend do e mbështesë zgjidhjen në mënyrë spekulative, bëhet kështu si e bën Rama. Për pandeminë ka pasur dhe modele shumë të ngjashme si ato të Ramës, siç ishte President Trump që bënte konferenca përditë dhe që humbi zgjedhjet. Ne rrezikojmë realisht të humbasim jo vetëm ekonomikisht, të biem në një varfëri, por ne do të biem shkallë pas shkalle te dera e mjerimit. Do na mbrojë fakti që jemi në Evropë, se po të ishim në një cep tjetër, do ishim harruar fare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb