Shteti gjerman do të paguajë faturën mujore të gazit të këtij dhjetori për të gjitha familjet dhe bizneset e vogla dhe të mesme, sipas një kufiri me dy faza mbi çmimet e energjisë të rekomanduar nga një panel ekspertësh të caktuar nga qeveria të hënën.

Sipas skemës, rimbursimi i plotë një herë në dhjetor do të pasohet pranverën e ardhshme me një skemë më të diferencuar subvencionimi, e krijuar për të kufizuar faturat, por gjithsesi të stimulojë njerëzit të kursejnë energji.

Nga marsi 2023 deri në fund të prillit 2024, familjet private do të paguajnë 0,12 € për kilovat orë për 80% të parë të përdorimit të gazit të vitit të kaluar. Ndërkohë nga 1 janari 2023 deri në fund të prillit 2024 do të paguajnë 0,07 euro për kilovat orë për 70% të parë të përdorimit të vitit të kaluar.

Bashkëkryetarja e panelit të ekspertëve Dr Veronika Grimm tha se çmimet e subvencionuara do të siguronin një “normalitet të ri” me të cilin mund të planifikonin kompanitë dhe familjet private, pa u kthyer artificialisht në çmimet e ulëta që ishin të zakonshme përpara se lufta e Rusisë në Ukrainë të ndryshonte politikën energjetike të Gjermanisë.

“Nuk do të ndodhë që çmimi të zbresë në 7 cent në të ardhmen”, tha Grimm. “Ne nuk do të marrim gazin rus për një kohë të gjatë.”

Ndërsa kostot e sakta ishin të vështira për t’u parashikuar, skema e propozuar me dy hapa mund të kushtojë rreth 90 miliardë euro, tha Siegfried Russwurm, një anëtar paneli dhe president i Federatës së Industrive Gjermane.

Konsiderohet e mundshme që qeveria e koalicionit të kancelarit gjerman Olaf Scholz të miratojë masat e rekomanduara nga komisioni i ekspertëve, i cili përbëhet nga 20 anëtarë të industrisë, sindikatave dhe akademisë.

Në fund të shtatorit, Scholz, një socialdemokrat, kishte shpallur një “mburojë mbrojtëse” prej 200 miliardë eurosh për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimeve të energjisë, por nuk shpjegoi më në detaje se si do të funksiononte në praktikë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb