EDITORIAL*
Diskutimet mbi paketën financiare të shpëtimit për Greqinë – e treta në pesë vjet, pritej të fi llonin sot në Athinë, pas miratimit nga Parlamenti. Ishin këto shqetësime që çuan në marrëveshjen e re mes qeverisë greke dhe vendeve të Eurozonës. Zoti Tsipras tha se nuk kishte zgjedhje tjetër, veçse t’i pranonte kushtet e kreditorëve, siç janë taksa të reja dhe reforma e pensioneve:
“Dua të theksoj se gjatë këtyre pesë muajve, jemi përpjekur shumë. Gjatë kësaj lufte kemi bërë edhe gabime dhe ju kam thënë, se unë marr plotësisht përsipër përgjegjësitë e mia dhe se nuk do t’u shmangem atyre. Ndihem mjaft krenar për gjithçka është bërë…”, – tha kryeministri grek.
Marrëveshja e re mund të mos jetë zgjidhje për problemet me të cilat përballet Greqia, por veçse një përpjekje e re për gjetjen e një zgjidhjeje.
Megjithatë, Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv në Bordin e Guvernatorëve të Bankës Botërore, thotë se marrëveshja është një hap i mirë përpara:
“Parlamentit dhe qeverisë iu desh të marrin vendime të vështira për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet Greqia. Zgjidhja do të vijë vetëm kur vendit t’i kthehet kompetitiviteti dhe rritja ekonomike. Mesazhi i marrëveshjes është që vendi është në rrugën e duhur; megjithëse nuk ka për të qenë një zgjidhje brenda një dite, rruga është e hapur për rikthimin e kompetitivitetit dhe rritjes ekonomike të vendit.”
Zyrtarët grekë kanë shprehur shqetësim se masat e reja shtrënguese që kërkon marrëveshja mund ta çojnë vendin në një tjetër krizë, më të ashpër ekonomike. Por zoti Pagano mendon ndryshe. Ai thotë se reformat janë shumë të rëndësishme për të ndërtuar besimin, tepër të nevojshëm për Greqinë:
“Zbatimi i reformave strukturore kërkon kohë… Por e rëndësishme është që ato të zbatohen, sepse vetëm në këtë rast rikthehet besimi; me kthimin e besimit vijnë investimet dhe me investimet vjen rritja ekonomike.”
Por, a mund të kenë sukses reformat në Greqi?
Nick Parsons, shef për strategjinë e tregjeve në Bankën Kombëtare të Australisë ka dyshime:
“Unë mendoj se ka vetëm një numër të vogël ekonomistësh apo analistësh, të cilët besojnë në qëndrueshmërinë e kësaj pakete, se ajo do të mund të zbatohet dhe që besojnë se ajo mund të jetë e suksesshme.”
Kriza greke nuk është vetëm një problem i Greqisë. Ekzistojnë shqetësime se ajo mund të ndikojë te vendet fqinje përmes remitancave, paratë që dërgojnë në vendet e tyre imigrantët, apo përmes degëve të bankave greke në vende si Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia dhe Serbia.
Marrë nga “Zëri i Amerikës”

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: