Në një mesazh të regjistruar ekskluzivisht për BBC, Papa Françesku u ka bërë thirrje liderëve botërorë që takohen në konferencën e OKB-së për Klimën në Glasgow për të ofruar “përgjigje efektive” ndaj emergjencës mjedisore dhe për të ofruar “shpresë konkrete” për brezat e ardhshëm.

Duke folur nga Vatikani për BBC Radio 4 Thought for the Day, Papa foli për krizat duke përfshirë pandeminë Covid-19, ndryshimet klimatike dhe vështirësitë ekonomike, dhe i kërkoi botës t’u përgjigjet atyre me vizion dhe vendime radikale.

“Ne mund të përballemi me këto kriza duke u tërhequr në izolacionizëm, proteksionizëm, ose mund të shohim në to një shans real për ndryshim.”

Ai nënvizioi nevojën për “një ndjenjë të ripërtërirë të përgjegjësisë së përbashkët për botën tonë”, duke shtuar se “secili prej nesh, kushdo dhe kudo që të jetë mund të luajë rolin tonë në ndryshimin e reagimit tonë kolektiv ndaj kërcënimit të paprecedentë të ndryshimit të klimës dhe degradimi i shtëpisë sonë të përbashkët”.

Papa do të takohet më vonë në Vatikan me Presidentin e SHBA Joe Biden. Politikat e brendshme të klimës së zotit Biden mbeten në pritje pasi partia e tij shtyu votimin për planet e tij të shpenzimeve. Mesazhi është një kujtesë e theksit që Françesku i ka vënë ambientalizmit gjatë gjithë pontifikatit të tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: