TIRANE

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, ish-ministri dhe analisti Besnik Mustafaj ka komentuar situatën politike në vend si dhe protestat e opozitës. Mustafaj tha se deputetët e rinj në Kuvend nuk përfaqësojnë opozitën dhe se protestat e opozitës reale duhet të shoqërohen edhe me artikulime në mënyrë që ndërkombëtaret të kuptojnë situatën.

“Parlamenti është një ngjyrësh dhe spërkatja me boje e Ralf Gjonit kjo është pjesë e spektaklit. I pëlqen qeverisë që ta quajë si opozitë të re deputetët që kanë marrë mandatin, por ajo nuk është opozitë. Mua si qytetar i këtij vendi më preokupon se çfarë bën opozita jashtë. Prezenca para parlamentit është tregues i pakënaqësisë dhe s’potim i vëmendjes jashtë sallës plenare. Sot në protestë ishte një zemërim i madh. Këto protesta duhet të shoqërohen edhe me artikulime që ndërkombëtarët të marrin vesh se çfarë synojnë këto manifestime. Në të kundërt këto protesta nuk ia arrijnë qëllimit. Këta deputetët e rinj që janë brenda do kenë një nevojë për të afirmuar kapacitetet politike. Opozita brenda është politike, ndersa reale është opozita jashtë parlamentit”- tha Mustafaj.

I pyetur mbi mundësinë e zgjidhjes së situatës politike si dhe rolit të ndërkombëtarëve, Mustafaj tha se nuk duhet të përjashtohet mundësia për dialog mes palëve, por opozita duhet të artikulojë kushtet.

“Arbitër duhet, por nuk shoh kushtet për t’u ulur në bisedime. Nuk mund të bësh politikë duke synuar demokracinë pa bërë dialog. Nuk përjashtohet opsioni i dialogut, por opozita duhet të ndërtojë dhe të artikulojë kushtet që do të zhvillohet ky dialog. Ikja e Ramës nuk përbën krijimin e rrethanave të nevojshme për të ndërtuar dialogun. Nëse ikën si kryeministër Rama, do jetë kreu i PS dhe në këto kushte je i detyruar ta pranosh. Një nga arsyet se pse opozita është në rrugë është se Rama ka refuzuar të bëjë dialog”- u shpreh Mustafaj.

Në lidhje me deklaratat e presidentit Meta se është i gatshëm të dorëhiqet nga posti i presidentit për zgjidhjen e krizës, Mustafaj tha se: “Unë nuk e shoh se si dorëzimi i mandatit të presidentit mund të zgjidhë krizën politike, përkundrazi mund ta komplikojë. Nuk e kuptoj qartë mesazhin e Metës se kujt i drejtohet. Meta e mban fjalën, por nuk shoh arsyet se pse duhet ta bëjë duke u dorëhequr se kjo nuk e zgjidh krizën”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: