Nga: ARSIM SINANI*
S’do mend se opinioni shqiptar është i interesuar të dijë të vërtetën se ç’ka po ndodh në IRJ të Maqedonisë, pasi ka konfuzion lidhur me zhvillimet në këto hapësira. Zgjedhjet e fundit në Maqedoni definitivisht e instaluan autokracinë e këtij pushteti. Zgjedhja e presidentit maqedonas, i cili s’ka legjitimitet tek elektorati i vet, por partitë shqiptare BDI dhe PDSH e ndihmuan që të fitojë. Njëra e bojkotoi BDI dhe e ndihmoi sepse shqiptarët s’do e votonin presidentin aktual dhe tjetra, PDSH i dha vota për të ruajtur pragun e zgjedhjeve. Në anën tjetër votuesit e Liqenasit ishin në terren për të mbushur kutitë. Në diasporë shqiptarëve ua vodhën votën ambasadat maqedonase dhe humbëm 3 me 0 si pasojë e një loje të dobët të partive shqiptare, të cilat diasporën shqiptare e përdorin për ta mjelë dhe vjelë. Nga këto paranteza dalim te premtimi se njëri nga tri pozicionet kryesore në shtet do të jetë i shqiptarëve dhe u theksua zëshëm se kryetari i Parlamentit do të jetë shqiptar; edhe kjo nuk ndodhi dhe ishte një mashtrim i radhës. Kryetari i shtetit si shenjë hakmarrjeje zgjodhi në këshillin e sigurisë një njeri pa autoritet nga shqiptarët, ndërsa ambasadorët shqiptarë u eliminuan. Ministri i Arsimit nuk është në gjendje që emrat e shkollave në Shkup nga ato të kohës komuniste në emra patriotësh shqiptarë t’i nënshkruajë e ndryshojë për shkaqe që vetëm ai i din. Ministri i Eurointegrimeve shkruan kolumna në mediat shqipe, ministri për Implementim të marrëveshjes-kornizë bën deklarata si analist. Ministri i Ambientit që është nga Tetova ku gjiganti ‘Jugohrom’ i helmon fëmijët e tij thotë se qytetarët djegin shumë dru dhe e ndotin ambientin. Komunat shqiptare janë në borxhe të pafundme pasi pushteti qendror ua merr paratë dhe u kthen jo më shumë se 10%. Tetovës nga Sharri i merret uji dhe mbushet liqeni i Mavrovës. Në Kërçovë prindërit vetë blejnë dru për ngrohje nëpër shkolla. Në Strugë lëshohen para se mos t’u dalë shpirti shqiptarëve nëpër shkolla. Në Kumanovë nxënësit shqiptarë mësojnë në shkolla të qelbura. Në biblioteka nuk ka libra të rinj që nga viti 1990. Në qytetet shqiptare mbizotëron kaosi në komunikacion, rrugët që nga koha e Titos janë të arnuara me gropa. Të rinjtë shqiptarë kryejnë shkolla dhe rrinë rrugëve, pasi s’kanë se ku të punësohen. Bujqit shqiptarë nuk marrin asnjë cent nga shteti beneficione dhe tokat kanë filluar të bëhen djerrina. Energjia elektrike çdo ditë shtrenjtohet ndërsa banorët e pallateve kanë obligime që ta regjistrojnë pallatin dhe të merren me gjëra teknike që të ndihen të angazhuar. Njerëz me fat kanë poste shtetërore, ndërsa intelektualët mendojnë se si të mbjellin patate, sepse partitë politike i konsiderojnë armiq të partisë. Në universitete gjithkush është bërë profesor, ndërsa titujt akademikë merren si aspirina në farmaci. Nëse do të arrish diçka, mirë është të marrësh librezë të partisë dhe të bërtasësh ‘rroftë shoku Zylo’, kështu gjen punë. Shqiptari dënohet sepse kështu ia ka qejfi pushtetit, ndërsa partitë shqiptare kalkulojnë se sa pikë kanë humbur dhe arsyetohen me broçkulla.
Ky është mozaiku i ngjarjeve në Maqedoni, që flet për një gjendje të vështirë shpirtërore që po kalon shoqëria në Maqedoni. Gjenerator i kësaj krize janë një sërë autorësh e këto janë partitë në pushtet VMRO, BDI dhe PDSH. Këto janë burim i kësaj gjendjeje të mjerë, që Maqedoninë po e kthen drejt mentalitetit mesjetar.
Në Maqedoni që nga dita kur po publikohen incizimet e përgjimeve ndaj qytetarëve, mbi 20 mijë, pushteti po mundohet të amortizojë krimet që ka bërë. Maqedonia po kalon një periudhë mjaft të vështirë, pasi njerëzit që e drejtojnë shtetin nuk kanë koncept dhe na kanë futur në kriza multidimensionale. Çdo gjë që do ndodhë nesër ka vetëm një autor, pushtetin aktual, i cili për ta ruajtur pushtetin është në gjendje të bëjë gjithçka.
Ndaj përshtypjen e qytetarëve shqiptarë se zyrtarët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova lipset me kujdes të vështrojnë se ku vijnë dhe për çka vijnë. Për shkak se kjo klasë politike mbijeton vetëm për shkak se bateritë i mbushën në Tiranë dhe Prishtinë, ndërsa neve na sundojnë si carët sllavë. Legjitimimi i këtyre partive politike ka vetëm një dimension, ruajtjen e pasurisë individuale dhe varfërimin e shqiptarit. Ndaj akrobacionet me Shqipërinë dhe Kosovën lipset të ndalen, le t’i presin nivele më të ulëta dhe me agjendë se çka kanë realizuar.
Maqedonia po kalon ditët më të vështira që nga pavarësimi i vet dhe jo për fajin e shqiptarëve, por për shkak të lakmisë që kanë tri partitë, që sot e qeverisin vendim me kriza të kontrolluara, me skandale dhe me përgjime. Ilaçi i kësaj sëmundjeje është largimi i butë nga politika, përballja me drejtësinë dhe ardhja e një gjenerate me orientime kah Perëndimi.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: