Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, deklaroi se luftëtarët kurdë në Siri, e kanë boshatisur burgun që mbante militantët e grupit ekstremist Shteti Islamik (IS).

Kjo, sipas ministri turk, ka ndodhur në zonën ku ushtria turke është duke zhvilluar ofensivën ndaj forcave kurde.

Ai tha se të burgosurit që gjendeshin në burg janë rrëmbyer.

Turqia po zhvillon një ofensivë në veri të Sirisë, për të dëbuar luftëtarët kurd, të cilët i konsideron si terroristë.

Më 14 tetor, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se mund të ndodhë që forcat e udhëhequra nga kurdët në veri të Sirisë, po i lirojnë militantët e burgosur të Shtetit Islamik, për të detyruar trupat amerikane që të kthehen në zonë.

Turqia e filloi ofensivën, pas tërheqjes së forcave amerikane, të cilat i kanë mbështetur për vite me rradhë luftëtarët kurdë, në luftën e tyre kundër Shtetit Islamik.

Pas këtyre vendimeve, janë ngjallur kritika ndërkombëtare ndaj Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Objektiv i Turqisë ishte krijimi i një zone të sigurtë në këtë rajon, ku ajo dëshiron të kthejë miliona refugjatë sirianë që gjenden në territorin turk.

Ankaraja gjithashtu u zotua të marrë përgjegjësinë për militantët e IS-it brenda “zonës së sigurt”, por tha se nuk do të përgjigjet për të tjerët, raporton Rel.

“Kur shkuam atje, ne pamë se burgu ishte zbrazur nga forcat kurde dhe militantët e Shtetit Islamik atje ishin rrëmbyer”, tha Akar duke mos sqaruar se sa të burgosur besohej se ishin marrë nga burgu, dhe as ku ishin dërguar.

Ofensiva turke në veri të Sirisë kundër luftëtarëve kurdë, po kritikohen në masë të madhe, kryesisht nga BE-ja.

Vendet e Bashkimit Evropian u angazhuan për të pezulluar eksportet e armëve në Turqi.

Këshilli Evropian, grupimi i 28 qeverive të BE-së, tha në një deklaratë se veprimi ushtarak i Turqisë në veri të Sirisë kishte “pasoja dramatike” dhe vuri në dukje se disa vende të BE-së kishin ndalur eksportet e armëve në Turqi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb