Senati amerikan pritet të votojë këtë fundjavë për një raund të ri asistence financiare që do të lehtësojë krizën ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, njofton për ndikimin që do të ketë kjo ndihmë financiare.

Një rikthim gradual tek jeta normale… ndërsa disa zona të Shteteve të Bashkura po lehtësojnë masat shtrënguese ndaj COVID-it. Restorantet po hapen… dhe po kështu edhe disa shkolla dhe teatro.

Megjithëse një vaksinë e tretë po shpërndahet në mbarë vendin për herë të parë këtë javë, pasojat ekonomike prej pothuajse një vit masash izoluese po ndjehen ende. Një raport në muajin shkurt tregon se Shtetet e Bashkuara shtuan vetëm 49 mijë vende pune – shumë më pak se parashikimi.

“Njerëz të kujdesshëm po na thonë troç se ekonomia nuk është ende gati të qëndrojë vetë në këmbë, se rimëkëmbja jonë është thellësisht e pasigurtë dhe se rreziku i të bërit më pak është shumë më i madh se i të bërit më shumë”, tha Chuck Schumer, udhëheqës i shumicës në Senat.

Plani Amerikan i Shpëtimit me vlerë 1.9 trilionë dollarë është pjesë kryesore e axhendës së Presidentit Biden për të ruajtur Shtetet e Bashkuara si një forcë globale ekonomike.

“Duket se është fare pranë realizimit të plotë të premtimeve gjatë fushatës. Ai e ndërtoi pjesën e fundit të fushatës duke thënë se duhet të rindërtojmë më mirë. Dhe ishte i sinqertë për faktin se do të kushtonte shumë para për të lehtësuar të gjithë njerëzit që janë dëmtuar financiarisht”, thotë Casey Burgat, Universiteti “George Washington”.

Por senatorët republikanë thonë se projektligji masiv nuk ka objektiv nevojat e popullit amerikan.

“Demokratët arritën të caktojnë vetëm 9% të këtij projektligji masiv për reagimin e sistemit shëndetësor, dhe më pak se 1% për vaksinat që do të japin fund kësaj lufte. Iu desh të ruanin 91% të parave që do të merret borxh për një listë të gjatë shpenzimesh liberale”, tha Mitch McConnell, udhëheqës i pakicës në Senat.

Projekt-ligji do të ofrojë pagesa të drejtpërdrejta prej 1400 dollarësh për shumicën e amerikanëve me të ardhura të ulëta deri në të moderuara, si dhe 20 miliardë dollarë në fonde për një shpëndarje masive të vaksinave në të gjithë vendin.

“Ky vend do të ketë furnizim të mjaftueshëm me vaksina deri në fund të majit”, deklaroi Presidenti Biden.

Një dispozitë kyçe gjithashtu do të zgjasë afatin e ndihmës federale prej 400 dollarësh në javë për amerikanët e papunë, e miratuar vitin e kaluar, por që skadon së shpejti.

“Paratë shkojnë jo vetëm tek llogaritë bankare personale, për t’i ndihmuar ata në jetën e tyre individuale, por edhe në planin më të gjerë, në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe drejtpërdrejt tek bizneset e vogla për t’i ndihmuar ata t’i mbijetojnë pandemisë”, thotë zoti Burgat.

Rastet e koronavirusit janë në nivelin e tyre më të ulët në Shtetet e Bashkuara që nga tetori dhe disa ekonomistë thonë se vendi mund të rikthehet në nivelet e punësimit të para pandemisë, deri nga mesi i këtij viti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb