Analisti Andi Bushati, e sheh vizitën në Tiranë të zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee si një fotokopje të vizitave të zyrtarëve të Bashkimit Europian, ndaj dhe gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike që ka përfshirë vendin, ai e sheh me pesimizëm.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në “News24”, Bushati tha se mesazhet e diplomatit amerikan janë një kthim pas tek paketa McAllister, të cilën nuk e pranoi as Basha, dhe më vonë as Rama, shkruan “BalkanWeb”.

“SHBA e Trump, për shkak të faktorëve të saj të brendshëm, dhe duke qenë se nuk ka një fokus të qartë për Shqipërinë, vendosën të kopjojnë propozimin evropian”, – tha Bushati

“Janë krijuar shumë pritshmëri nga vizita e emisarit amerikan, e do dukej sikur do kishte një paketë amerikane për zgjidhjen e krizës, që mos përshkallëzohet. Deri tani, zgjidhja e një krize duket pesimiste. Duke parë mesazhet që diplomati amerikan ka dërguar në takime private me kolegët tanë, duket sikur kemi një kthim te paketa McAllister. Edhe për faktorët e saj të brendshëm, duke qenë se nuk ka një fokus për Shqipërinë nga Trump, amerikanët kanë vendosur të kopjojnë propozimin evropian. Paketën McAllister, nuk e ka pranuar Basha e pastaj Rama. Edhe vetë McAllister u tërhoq nga kjo paketë ditë më vonë. U duk sikur Rama e pranoi paketën e tij, për Presidentin konsensual, katër ministrat të opozitës në qeveri, si dhe kreu i KQZ. Pas paketës së tij, Rama i uli ofertat. Presidentin e zgjodhi vetë. Nëse nga Uashingtoni na vjen e ripropozuar kjo paketë, nuk gjej arsye se pse ata që i thanë dje jo, t’i thonë sot po. Edhe kjo do jetë vizitë e radhës dhe amerikani do largohet siç kanë ikur të tjerët”, – u shpreh analisti Bushati.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb