Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Malit të Zi që situatën aktuale politike në vend ta tejkalojë vetëm me mjete kushtetuese, në mënyrë që vendi kandidat të mund të vazhdojë rrugëtimin në procesin e integrimeve evropiane.

Mali i Zi është një prej temave të diskutimit në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, që po zhvillohet të hënën në Bruksel. Sipas paralajmërimeve për situatën në Mal të Zi, pritet të raportojnë së bashku ministrja e Jashtme e Sllovenisë Tanja Fajon dhe ministri i Jashtëm i Austrisë Alexander Schallenberg.

Ata kanë vizituar Malin e Zi në emër të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Zyrtarët e BE-së thonë se këto vizita të dy ministrave të Jashtëm të dy vendeve anëtare në Podgoricë ishin të suksesshme. Ata thanë se udhëheqësve politikë në Mal të Zi u është dërguar mesazhi i qartë se situata e tashme mund të zgjidhet vetëm me mjete ligjore, duke kërkuar edhe zgjedhen e dy gjykatësve, në mënyrë që të funksionalizohet Gjykata Kushtetuese.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, njoftoi më 15 janar se më 23 janar, në Bruksel, ministrat e Jashtëm do të diskutojnë për masat e mundshme që mund të marrë BE-ja nëse Mali i Zi nuk e zhbllokon Gjykatën Kushtetuese duke zgjedhur gjyqtarët që mungojnë.

Ky do të ishte një parakusht për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të rregullta në Mal të Zi. Edhe ministri i Jashtëm i Kroacisë Gordan Gërlliq Radman ka paralajmëruar se do të flasë për situatën në Mal të Zi, pasi edhe ai, para disa ditësh kishte qëndruar për vizitë.

“Ftojmë Malin e Zi që të kuptojë seriozisht mesazhin e BE-së për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjin e diskutueshëm për presidentin. Ne kemi nevojë për Malin e Zi, na duhet një Mal i Zi stabil, i orientuar në mënyrë të qartë kah vlerat evropiane”, ka thënë ministri i Kroacisë, duke shprehur bindjen se Mali i Zi do të tejkalojë krizën politike dhe do të avancojë në rrugën e integrimeve evropiane.

Mali i Zi është vendi udhëheqës nga rajoni i Ballkanit Perëndimor në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE. Por, problemet e brendshme politike kanë ndikuar që procesi të ngadalësohet. Burime diplomatike në Bruksel madje kanë tërhequr vërëetjen se i tërë procesi mund të ndalet nëse nuk sigurohet sundimi i ligjit dhe funksionalizmi i Gjykatës Kushtetuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb