TIRANË

Ka zgjatur rreth 1 orë e gjysmë takimi mes zyrtarit të lartë amerikan, Zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Matthew Palmer dhe kryeministrit Edi Rama. Burime për “BalkanWeb” pohuan se situata politike ka qenë në fokus të takimit. I buzëqeshur, Palmer ka lënë Kryeministrinë i shoqëruar nga e ngarkuara me punë e SHBA-ve në ambasadën amerikane Leyla Moses Ones.

Vizita e zyrtarit amerikan i shërben zgjidhjes së krizës politike, pas përpjekjeve pa rezultat të europianëve. Por përveç kryeministrit Edi Rama, Palmer do të ketë takime edhe me liderë të tjerë ë vend.

Axhendë më të ngjeshur Palmer do të ketë ditën e martë, ku në mesditë do të takohet me kryetaren e LSI-, Monika Kryemadhi, në drekë është parashikuar takimi me kreun e opozitës Lulzim Basha ndërsa rreth orës 17:30 zyrtari amerikan do të pritet në Presidencë nga Kreu i Shtetit, Ilir Meta.

Pas takimeve me zyrtarët e lartë, mësohet se Matthew Palmer do të ketë një takim edhe me një grup gazetarësh shqiptarë.

Palmer vjen në Shqipëri në një kohë kur opozita e bashkuar ka djegur mandatet ndërsa ka paralajmëruar edhe protesta të vazhdueshme në vend, ndërsa mazhoranca po përgatitet për zgjedhje. Protestat e vazhdueshme paralel me seancat plenare shpesh herë janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë të pranishme në terren, për mbarëvartjen e situatës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb