Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi i ftuar në emisionin ‘”Real Story” të Sokol Ballës në News24 ka folur për krizën ekonomike gjatë pandemisë dhe për dëmet që ka shkaktuar tek bizneset.

Bregasi ka kërkesa të qarta për qeverinë e ardhshme që do drejtojë vendin pas 25 prillit, duke theksuar se qeveria është arbitër për biznesin duhet të respektojë rregullat e lojës.

Sipas tij bizneseve i duhet një qeveri e përgjegjshme, që mos bëhet palë sa i përket sipërmarrjeve, dhe mos jetë e njëanshme.

Bregasi ka theksuar që qeveria duhet të nxisë stimulimin e produkteve vendase pasi sipërmarrjet dhe bizneset shqiptare kanë kaluar kufirin të ‘’çarmatosur’’ në këtë drejtim përballë tregut të ashpër që e pret jashtë vendit.

‘’Për ne sipërmarrja kërkon qeveri të përgjegjshme, me aftësi administrative, organizative. Kërkon qeveri që të respektojë rregullat e lojës. Për mua është si arbitër. Pasi ka miratuar një Kod, të zbatojë në mënyrë perfektë, mos bëhet palë me sipërmarrje. Pra mos ndërhyjë tek sipërmarrjet.

Të dëgjojë zërin e sipërmarrësve. Do të kërkoja që qeveria e ardhshme të fokusohet tek nxitja dhe stimulimi i produkteve vendase. Ekonomia s’ka nevojë për privilegje, duhen rregulla të qarta loje. Edhe ndaj tregjeve shumë agresive ndaj nesh. Se ne kemi dalë në kufi të paçarmatosur.

Biznesi duhet të krijojë një klimë të barabartë, konkurrencë të ndershme për sipërmarrjen, rregulla të lojës të qarta, arbitër të shkëlqyer. Pra të forcojë luftën kundër informalitetit, që është një objektiv i rëndësishëm. Më pëlqen diçka që thotë Rama që s’ka njerëz të korruptuara, ka sisteme të korruptuara. Pra duhet të krijohen sistemet.’’- tha Bregasi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb